VIDEO - Banorët e Banjës së Pejës ndihen të rrezikuar nga antenat e IPKO-s

Zhurma e vazhdueshme dhe rrezatimi nga antenat e vendosura nga kompania telefonike IPKO pranë disa shtëpive në Banjë të Pejës po dalin të jenë shqetësuese tash e një vit për banorët e këtij fshati.

Banorët thonë se vazhdimisht janë ankuar edhe përmes peticioneve me qëllim që këto antena të zhvendosen më tutje.

Fatos Kabashi i cili banon vetëm pak metra larg shtyllës në të cilën janë të vendosura antenat, thotë se ndihen të rrezikuar nga rrezatimi i antenave.

“Shprehim pakënaqësinë për punën e këtyre antenave që i kanë qit këtu. Kjo nuk është hera e parë që unë ankona me mahallën time. Jemi mbledhë, janë ardhë 100 vetë kur i kanë qitë antenat ju kemi thanë mos i qitni antenat se janë shumë të dëmshme, nuk na kanë ndegju na kanë arrestu mu e kit kojshin na kanë marrë në pyetje na kanë akuzu se po i pengojmë në punë”, u shpreh ai.

Nëse problemi i tyre nuk do të zgjidhet, Kabashi paralajmëron se do të shpërngulet bashkë me familjen e tij nga ky vendbanim.

“Mu nuk më ka mbetë tjetër me shit shtëpinë edhe me ikë prej këtij vendi. Kjo zhurmë këtu nuk ndalet 24 orë. 3-2 ora të natës ndodhë që më prishet gjumi, e duhet më i mshelë dritaret”, thotë Kabashi.

Njëjtë shprehet edhe banori tjetër, Izet Shabani i cili pretendon se rrezet e antenave janë të dëmshme për banorët përreth dhe që vendosja e tyre është bërë pa pëlqimin e banorëve.

“Është afër shtëpisë dikun 30 metra vijë ajrore, janë marrë me polici me gjykatën, me IPKO-n dhe nuk është marrë parasysh kjo kërkesë e tyre. Nuk e di arsyen pse, a është në pyetje forca e tyre e mujnë me bë çka të donë, unë mendoj që është e drejtë e qytetarëve kjo. Pa pëlqimin e tyre është qit kjo këtu përpos antenave që është rrezatimi, është në pyetje edhe zhurma 24 orë”, deklaroi Shabani.

Operatori telefonik IPKO në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se nga matjet e realizuara është konstatuar se këto antena janë në përputhje me standardet ndërkombëtare për rrezatimin jo-jonizues.

Gjithashtu sipas tyre, për vendosjen e antenave janë të pajisur me leje nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

“Nga matjet e realizuara nga ana e ARKEP si dhe Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike është konstatuar se antenat e IPKO’s janë në përputhje me standardet ndërkombëtare për rrezatimin jo-jonizues të përcaktuara nga Komisioni Ndërkombëtar për Mbrojtje nga rrezatimi jo-jonizues (“ICNIRP”) si dhe janë në harmoni të plotë me Rregulloren Teknike të ARKEP për Radio-pajisjet (Ref nr.prot.032/B/17), e cila si e tillë është transpozim i Direktivës së BE për Radio-pajisjet”, thuhet në përgjigjen elektronike të IPKO-s.