(VIDEO) Banorë të lagjes 'Kalabria' ndërhynë në seancë, kërkojnë takim me kryetarin Rama

Këshilli i banorëve të lagjes “Kalabria” kanë ndërhyrë në seancën e kuvendit komunal të Prishtinës duke kërkuar takim me kryetarin Përparim Rama. 

Kjo pasi po pretendojnë se po ndjehen të anashkaluar sepse nuk janë në rend të ditës sikurse ajo për lagjen “Arbëria 3”. 

Pika e 10-të e rendit të ditës ishte propozim-vendimi për lënie në diskutim publik për plotësim-ndryshimin për planin rregullues “Arbëria 3”. Kjo më pas u largua nga rendi i ditës. 

Ky planrregullues bashkë me atë të “Kalabrisë” ishin shfuqizuar në muajin mars të këtij viti.

“Po kërkojmë takim personalisht me kryetarin. A jeni t`u e ditë çka jeni t`u bë, jeni t`u bë vepër penale të gjithë. Niherë e shfuqizoni pastaj e ktheni”, u shpreh një banor i kësaj lagje. 

Kryetari Përparim Rama mori fjalën duke pranuar që të takohet me ta sot në orën 12:00.

“Ju kam prit në takim, e ju pres edhe sot. Unë premtimet çka i kam bë, edhe i mbajë. Takohemi sot në orën 12:00, në kohën e drekës”, tha Rama.

Më 18 mars 2022, mes tensionesh e diskutimeve, Kuvendi Komunal i Prishtinës votoi për shfuqizimin e vendimit të planit të hollësishëm rregullues për lagjen Kalabria dhe për lagjen “Arbëria 3”.

Arsyetimi i kryetarit Rama ishte se të dy vendimet ishin kthyer të jashtëligjshme nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Atë ditë, banorët e lagjes “Kalabria” në Prishtinë kanë protestuar para komunës së Prishtinës për mos-shfuqizim të planit rregullues që ishte miratuar në nëntor të vitit 2021. Banorët i kanë bërë thirrje kryetarit, Përparim Rama të mos e bllokojë lagjen “Kalabria”.

Ankesa kyçe e tyre është që mos të zbritet koeficienti nga 2.4 sa është miratuar nga qeverisja e kaluar.

Kuvendi Komunal i Prishtinës është duke e mbajtur mbledhjen e katërt me radhë.