VIDEO - Bali Muharremaj përballë premtimeve zgjedhore në ‘Jeta në Komunë’

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj kishte dhënë disa premtime gjatë fushatës zgjedhore në vitin 2021.

Muharremaj kishte premtuar ujë të pijes në rrugën “Xhavit Syla” në Suharekë, por gjatë hulumtimit në terren banorët e lagjes janë ankuar se kanë mungesë të ujit.

Në fshatin Vraniq, kryetari i Suharekës kishte premtuar rregullimin e varrezave. Ekzekutivi lokal ka konfirmuar se në aspektin institucional janë bërë të gjitha hapat, por investimi në pastrimin e hapësirës dhe vendosjen e rrethojave ende nuk ka ndodhur.

Bali Muharremaj kishte premtuar park në secilin fshat të Suharekës, por ekipi i KALLXO.com gjeti që në fshatrat Nishor, Dobërdelan dhe Vraniq nuk ka parqe.

Ai kishte premtuar shkarkimin e drejtorëve komunalë nëse u ngritEt aktakuzë.

Gjatë këtij mandati, drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Suharekës, Enver Shabani ka një aktakuzë të konfirmuar nga Gjykata Themelore në Prizren dhe i njëjti nuk është shkarkuar.

“Siç jeni të njoftuar edhe përmes mediave me aktakuzë është drejtori i Shërbimeve Publike. Procedura gjyqësore nuk ka përfunduar, është në proces, dhe natyrisht nuk kemi ndërmarrë asnjë veprim pa u dhënë verdikti përfundimtar” – ishte përgjigja e komunës kur u pyet për këtë premtim.