(VIDEO) Avokati i ish-ministrit të Kosovës që mohoi masakrën e Reçakut: Klienti im ka imunitet

Në Gjykatën e Apelit është mbajtur seanca e radhës ndaj ish-ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq, i cili akuzohet nga Prokuroria për nxitje të urrejtjes dhe përçarjes.

Kjo Gjykatë ka refuzuar kërkesën e mbrojtësit të Todosijeviq, për përjashtim të kolegjit të gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit.

Kujtojmë se KALLXO.com pati raportuar për kërkesën e bërë nga mbrojtësi i Todosijeviq, Nebojsa Vlajiq, të bërë gjatë seancës në Gjykatën e Apelit.

Ai pati thënë se, paraqet përjashtimin e çdo anëtari të kolegjit që është shqiptar, pasi sipas tij nga klienti i tij është fyer tërë popullsia shqiptare, që është pala e dëmtuar në këtë rast dhe asnjë gjyqtar shqiptar nuk duhet të gjykojë këtë çështje penale.

Në seancën e sotme mbrojtësi i Todosijeviq, Nebojsa Vlajiq tha se klienti i tij ka imunitet dhe çështja penale ndaj tij nuk duhet të vazhdojë.

“Dua të paraqes një rrethanë se i akuzuari Ivan Todosijeviq është anëtar i Kuvendit të Kosovës, përkatësisht deputet që gëzon imunitet nga ndjekja penale dhe unë i prezantoj vërtetimin e datës 14 prill 2021, që vërteton faktin se është deputet, po ashtu u prezantoj dokumentin identifikues që është anëtar i Kuvendit dhe po ashtu një deklaratë nga ana e Ivan Todosijeviq të nënshkruar nga ai, i cili thirret në imunitetin. Ne si mbrojtje konsiderojmë se nuk mund të procedohet tutje për shkak të pengesave procedurale, pasi i njëjti ka imunitet”, tha avokati Vlajiq.

Ndërsa kryetari i trupit gjykues Burim Ademi tha se, kolegji në raport me pretendimet e mbrojtjes vlerëson se çështja duhet të trajtohet dhe seanca të mbahet.

“Kolegji në raport me pretendimet e mbrojtjes vlerëson se, çështja duhet të trajtohet dhe seanca duhet të mbahet pasi imuniteti mund të jetë një rrethanë që mund të reflektojë si një pengesë në ndjekjen penale, e që për të cilën çështje Gjykata ka bazë ligjore kur konstaton se ka pengesë në ndjekjen penale, që të vendosë edhe në raport me ato pengesa për ndjekjen penale”, tha gjyqtari Ademi.

Ai shtoi se ekziston një vendim i Gjykatës Kushtetuese, që ka trajtuar imunitetin e deputetëve dhe ai vendim tani ka krijuar standardin kushtetues.

“Gjykata me rastin e vendosjes në këtë çështje, do të ketë parasysh të gjitha pretendimet e mbrojtjes, rrethanat dhe standardet kushtetuese”, shtoi gjyqtari Ademi.

Ndërsa gjyqtari referues, Vaton Dërguti tha se Gjykata ka vlerësuar se deklarata dhe shprehjet e përdorura nga i akuzuari janë veprime fyese ndaj një populli të tërë.

“Gjykata ka vërtetuar se deklaratat dhe shprehjet e përdorura nga i akuzuari janë veprime fyese ndaj një populli të tërë dhe si i tillë mund të nxisë urrejtje, përçarje, mostolerancë në mes grupeve etnike në Kosovë. Gjykata ka vlerësuar se shkuarja e të akuzuarit në tubim nuk ka të bëjë me përgjegjësi brenda fushëveprimit të tij, veprimet e tij inkriminuese në rastin konkret nuk kanë alibi në imunitet”, tha gjyqtari Dërguti.

“Gjykata pas gjithë këtyre provave ka vlerësuar se me veprimin e të akuzuarit qëndrojnë të gjitha elementet e veprës penale, me rastin e caktimit të dënimit Gjykata ka pasur parasysh, rrethanat lehtësuese që për të akuzuarin është hera parë që është ndeshë me ligjin, pendimin, sjelljen korrekte si dhe si rrethanë rënduese ka marrë peshën e veprës penale, shkallën e përgjegjësisë, dhe se vepra është kryer me dashje direkte. Mbi bazën e të gjitha këtyre provave, Gjykata ka ardhur në përfundim se dënimi është në proporcion me peshën e veprës penale”, shtoi gjyqtari Dërguti.

Avokati Vlajiq tha se ka kërkuar që të shikohet CD, ku shihet deklarata e të akuzuarit Todosijeviq.

“Kur kam thënë se nuk është vërtetuar gjendja faktike, unë kam propozuar që të mbahet seanca e Gjykatës së shkallës së dytë dhe ta shikojmë CD. I pandehuri nuk ka përdorë fjalët gjakpirës, gjakderdhje dhe masakër, ai e ka pranuar atë që është në CD, mirëpo këtë që është në aktgjykim ai nuk e ka thënë”, shtoi avokati Vlajiq.

Më 5 dhjetor 2019, Gjykata e Prishtinës i kishte shqiptuar dënimin me dy vjet burg efektiv ish-ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq.

Ai ishte gjetur fajtor për një deklaratë të dhënë vitin 2018, me të cilën e quante trillim Masakrën e Reçakut të 15 janarit 1999, ku forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë. Në korrik të vitit 2019, Prokuroria e Prishtinës kishte ngritur aktakuzë kundër ish ministrit të MAPL-së, Ivan Todosijeviq për nxitje të urrejtjes dhe përçarjes

Sipas Prokurorisë Todosijeviq në cilësi të ministrit me dashje, ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarje dhe mosdurim midis grupeve kombëtare, racore dhe etnike që jetojnë në Republikën e Kosovës.

Në aktakuzë thuhet se, Todosijeviq në cilësinë e pjesëmarrësit dhe folësit në tubimin qytetar kundër intervenimit të NATO-s, ka thënë se masakra e Reçakut ishte trillim.

Arsyeja për agresionin në shtetin tonë ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë e Metohi… Masakra e Reçakut ishte trillim… Janë terroristët shqiptarë që e trilluan gjithë këtë dhe bënë krimet më të mëdha në Kosovë e Metohi… Për këtë, sot e kësaj dite askush nuk ka dhënë përgjegjësi… Kanë bërë krime para agresionit të NATO-s, kanë vrarë shtëpiak të mirë serbë dhe policë në vendin e tyre të punës… gjakpirjen e tyre e kanë vazhduar edhe gjatë agresionit edhe pas ardhjes të së ashtuquajturës mision paqësor në Kosovë e Metohi”, kishte thënë Todosijeviq.

Pas kësaj deklarate, ish-kryeministri Ramush Haradinaj e kishte shkarkuar Todosijeviqin nga pozita e ministrit.

Sot del para Gjykatës së Apelit ish-ministri i dënuar nga Themelorja për mohimin e masakrës së Reçakut