Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti më 28.09.2020, Foto: KALLXO.com

VIDEO - Avdullah Hoti për takimet e Brukselit: Asociacioni nuk diskutohet

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar se tema e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, është e mbyllur dhe se, sipas tij, atë nuk do ta diskutojnë në kuadër të dialogut me Serbinë.

Hoti në një konferencë për media, tha se ka tema të tjera për të diskutuar në kuadër të procesit të negociatave me palën serbe.

“Ju e dini që në fillim të mandatit ne kemi marrë vendime bukur të vështira për të hyrë në proces të dialogut dhe kemi treguar besoj gjithë konstruktivitetin e nevojshëm për të çuar përpara këtë proces që besoj është me rëndësi për Kosovën, për Serbinë dhe gjithë regjionin”, tha Hoti.

“Sa i përket temës së Asociacionit ju e dini qëndrimin tonë që kemi, ajo temë nuk hapet sepse është përmbyllur me marrëveshjen e vitit 2013 që është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës dhe mandej është marrëveshja e parimeve e vitit 2015. Pra si e tillë Asociacioni nuk diskutohet, ka tema tjera për të diskutuar”, shtoi kryeministri.

Kreu i qeverisë tha se do të kujdeset që procesi i dialogut të shkojë përpara.

“Nëse për ndonjë arsye nuk do të shkojë përpara atëherë do të jetë jo për arsye pse qeveria e Kosovës nuk është e gatshme, por për shkak të Qeverisë së Serbisë që nuk është e gatshme të shkojë drejt marrëveshjes përfundimtare”, theksoi ai.

Një takim i thirrur për në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë së fundi është anuluar me arsyetimin e BE-së për shkak të pandemisë COVID-19.

Mbledhja e Qeverisë së Kosovës

Mbledhja e Qeverisë së Kosovës

Publiée par Kallxo.com sur Dimanche 27 septembre 2020