(VIDEO) Art përmes riciklimit

Që nga janari i këtij viti, nxënësit e vitit të tretë të Shkollës së Mesme të Artit në Pejë, atë çka mësojnë edhe do ta praktikojnë.

Këtë ua ka mundësuar projekti ‘Serec’ në kuadër të organizatës ‘Let’s Do It Peja’, i cili u mundëson atyre ridizajnimin e rrobave të hedhura e të papërdorura më.

“Këtu ne po bëjmë bashkëpunim me një projekt që quhet ‘Serec’ dhe bëjmë ridizajnimin e rrobave që s’i përdorin më njerëzit, i sjellin këtu dhe ne bëjmë ridizajnimin e tyre në mënyrë që ato të mund të përdoren edhe për një kohë tjetër më të gjatë”, thotë për KALLXO.com, Blenisa Tafilaj, nxënëse e kësaj shkolle.

Ajo thekson se ky projekt përveç se u zhvillon idetë, po u mundëson edhe prezantimin në ekspozitat më të mira në vend.

“Ne përfitojmë si një lloj praktike, sepse gjërat që i mësojmë në shkollë këtu i praktikojmë”, thotë nxënësja.

“Produktet kanë mu shfaq në ‘Prishtina Fashion Night’ dhe përveç profesorëve që na japin mësim, si ndihmës i yni është edhe dizajneri Etnik Shala”, shton ajo.

Ndërsa, Arba Shehu menaxhere e projektit ‘Serec’ në ‘Let’s do it Peja’, thotë se qëllimi i këtij projekti ka qenë që të promovohet ekonomia qarkore dhe zhvillimi i ndërmarrësisë sociale.

“Ekonomia qarkore ka për qëllim që materialet në lëndën e parë vazhdimisht ta ripërdor, ridestinojë dhe riciklojë për këtë arsye edhe projekti quhet ‘Serec’, që është ripërdorimi, riciklim dhe ridestinim”, thotë ajo.

Shehu thekson se organizata bënë grumbullimin e rrobave përmes një pike të vendosur në qendër dhe pas kësaj bënë selektimin e tyre.

“Ato ndahen sipas cilësisë, ato që janë në cilësi më të mirë në procesin e larjes, pastrimit, tharjes dhe hekurosjes – dalin në dyqan për shitje, ndërsa ato që nuk janë të cilësisë së mirë edhe ato pastrohen dhe thahen, hekurosen por shkojnë në procesin e ridestinimit, ridizajnimit ku këto proces i kryejnë nxënësit e shkollës së artit “Odhise Paskali”, drejtimi dizajn i tekstilit”, thotë Shehu.

Edhe ajo pajtohet se qëllimi i bashkëpunimit me shkollën e artit ka qenë zhvillimi i praktikës.

“Është një mundësi shumë e mirë për ta sepse atë çka e mësojnë në teori i paraqesin në praktikë dhe është një përvojë shumë e mirë për ta dhe po ndihen shumë mirë se po kanë mundësi mi paraqit idetë e tyre kreative”, thekson më tej ajo.

Shehu po ashtu thotë se nxënësit që arrijnë t’i shesin produktet e tyre në dyqan, marrin edhe para.

“Produktet që ata i ridizajnojnë vijnë në shitje në dyqanin tonë dhe një pjesë e përqindjes së shtijës së produkteve, u takon atyre”,  thotë më tej ajo.

Projekti ‘Serec’ është financuar nga Bashkimi Evropian dhe vitin e ardhshëm planifikohet që pikat grumbulluese të rrobave të papërdorura të hapen edhe në qytete të tjera.