VIDEO: Arrestimi i zyrtarit policor për bixhoz

Në emisionin “Kallxo Pernime” po transmetohen pamjet e arrestimit të një zyrtari policor në Gjilan, i cili dyshohet për organizim të lojërave të fatit dhe bixhozit të jashtëligjshëm.

Inspektorati Policor i Kosovës në rrugë operative i kishte rënë në gjurmë zyrtarit policor, i cili dyshohej se po organizonte lojëra të fatit, të cilat në Kosovë janë të ndaluara me ligj.

Grupi hetimor i krijuar për arrestimin e zyrtarit policor ishte i udhëhequr nga Bardhyl Haxhimustafa.

“IPK përmes rrugëve operative ka ardhë deri tek informacioni se një zyrtar policor i drejtorisë rajonale në Gjilan është i përfshirë në veprën penale – organizim i skemave piramidale dhe bixhozit”, tha Haxhimustafa, i cili ka shtuar se viktima e këtij rasti veç ishte intervistuar tashmë.

“Mbrëmë është intervistuar viktima i cili pretendon se ka fituar një jackpot me një bast i cili organizohet online por organizatori apo krijimi i llogarisë online të bastit është zyrtari policor, i cili është i identifikuar:”, theksoi Haxhimustafa.

Masat e përdorura të fshehta të hetimit e vëzhgimit ishin ndarë me kryeprokurorin e Prokurorisë së Gjilanit, Arben Kadriu, dhe IPK ishte nisur drejt shtëpisë së zyrtarit policor për ta arrestuar atë.

“Pas përfundimit të takimit në mes të të dyshuarit, viktimës dhe ndërmjetësuesit, kemi marrë video-incizimet nga ai takim dhe i kemi prezantuar kryeprokurorit me të cilat është bindur dhe është krijuar dyshimi i bazuar se zyrtari policor i dyshuar është apo ka kryer veprën penale me të cilën dyshohet dhe me kërkesën e Prokurorisë drejtuar Gjykatës kanë marrë urdhëresën për bastisje dhe tani jemi në drejtim të lokacionit ku banon i dyshuari  që ta kryejmë kontrollin e shtëpisë dhe gjetjen e provave”, theksoi Haxhimustafa.

Zyrtari policor pas bastisjes së shtëpisë arrestohet dhe dërgohet në mbajtje.

Gjykata ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë dhe ka caktuar 30 ditë paraburgim për policin e dyshuar.