VIDEO: Arineta Mula, alpinistja që nuk i ndal aktivitetet sportive as gjatë muajit të Ramazanit

Muaji i Ramazanit për sportistët që agjërojnë është goxha sfidues. Porse, ka edhe sportistë që ndonëse agjërojnë, i vazhdojnë aktivitetet sportive pa hasur në ndonjë vështirësi shëndetësore.

Alpinistja kosovare, Arineta Mula, e cila e ka pushtuar disa nga majat më të larta në botë, përfshirë edhe Everestin, e ka filluar agjërimin dhe po vazhdon me aktivitete sportive.

Përveç alpinizmit dhe bjeshkaterisë, 32 vjeçarja nga Peja, është edhe vrapuese e rregullt me grupin e vrapimit KTRA në Prishtinë.

Mula më 27 mars të këtij viti e kishte marrë medaljen e artë në maratonën malore të mbajtur në Vodno – Matka në Shkup të Maqedonisë Veriore. Maratona ka qenë e gjatë 42 kilometra, me 3,100 metra ngjitje malore.

Ajo në një intervistë për KALLXO.com, ka treguar se çdo ditë zgjohet në orën 05:07 të mëngjesit dhe në ora 5:40, vrapon të paktën 10 kilometra, pavarësisht se në këto ditë është edhe duke agjëruar.

“Vrapimin e fillojmë në ora 05:40 prej të hënës deri të premten, të shtunën e fillojmë në ora 06:00, ndërkaq të dielën në ora 07:00, ky është orari i rregullt i grupit të KTRA-s që e fillojmë vrapimin, ndërkaq zgjohem në ora 05:07, gjithmonë e kam alarmin”, thotë Mula.

Ajo tregon se është agjërueshëm, dhe kjo nuk paraqet asnjë pengesë që të zhvilloj të gjitha aktivitetet ditore, sikur edhe në kohën e para Ramazanit e nuk është agjërueshëm.

“Po e kam filluar agjërimin, tashti e kemi muajin e shenjtë të Ramazanit, kështu që jam duke agjëruar edhe në të njëjtën kohë nuk e kam ndalë aktivitetin sportiv, që është vrapimi”, ka treguar alpinistja Arineta Mula.

Arineta e ka një mesazh për të gjithë ata që kanë dyshime se a duhet agjëruar apo jo. Ajo tregon se agjërimi atë nuk e pengon për asnjë gjë që mos ta bëj gjatë ditës, bile ajo tregon se funksionon më mirë në punë gjatë muajit të Ramazanit.

“Krejt frikësohen prej agjërimit me dyshimin qysh kam me funksionu ditën. Unë mendoj se është shumë e thjeshtë. Nuk është nevoja me bo shumë të madhe punën e agjërimit”, thotë Mula.

Duke u nisur nga vetja, ajo thotë se agjërimi e bënë të ndihet me më shumë energji.

“Jam shumë me ma energji të mirë e agjërimi nuk me ndalë me e bo aktivitetin tim sportiv. Në mëngjes i bëjmë 9 deri në 10 kilometra, në mëngjesin e hershëm edhe e filloj punën prej orës 8 deri në 5, plus e zhvilloj ditën krejt njëjtë sikur kur nuk jemi tu agjëru”, thotë Mula.

Ajo ka filluar ta praktikojë edhe një tjetër lloj të agjërimit i cili quhet “agjërimi me ujë”, duke konsumuar vetëm ujë për disa ditë.

“Agjërimi me ujë, në vitet e fundit ka fillu me u zhvillu tepër në të gjitha shtetet e botës edhe është bërë aq i famshëm sa njerëzit kanë fillu me e besu dhe me plotë bindje po e bëjnë”, thotë ajo.

E gjitha kjo, sipas Mulës është e bazuar në shkencë, në studime dhe hulumtime dhe vetëm ata që i besojnë mund të bindën. Ajo tashmë është edhe vegjitariane dhe përë këtë, ka një shpjegim.

“Shumë atletë në botë janë bërë vegjatarian, e kanë ndalu mishin për shkak se mishi kërkon më shumë kohë për tretje, dhe në aspektin e aktivitetetit sportiv nëse ke me lujt futboll ose ke me bo vrapim, është mirë mos me honger mishin. Që një vit e tre muaj e kam lënë mishin, jam bërë vegjatariane”, tregon ajo.

Inspirimin për të nisur agjërimin me ujë, Mula e ka marrë brenda grupit ku vrapon KTRA.

“Agjërimi me ujë, është diçka tjetër që unë fillova duke u inspiruar brenda grupit. Është vrapuesi Burim Leci i cili i ka tri –katër vite që e aplikon agjërimin me ujë edhe sa herë është mundu me na informu në grup, e kemi shiku pak si të dyshimtë”, thotë ajo.

Dyshimet, Arineta thotë t’i jenë larguar kur ajo nisi të interesohet e të lexoj më shumë për këtë formë agjërimi, e po ashtu u bind kur nisi ta aplikoj. Ajo thotë se agjerimi me ujë sugjerohet për tri ditë, por Arineta Mula e ka bërë për pesë ditë.

“Kisha mujt me sugjeru Wim Hof është një atletë nga Holanda i cili i ka thy rekordet botërore, i cili e ka ngjitur Everestin pa rroba fare, vetëm me një palë shorce edhe pa oksigjen shtesë. Kjo është një storie shumë inspiruese që tregon se çka bën ky njeri që me e arritë një diçka të tillë”, thotë Mula, duke shtuar se ky atlet është thyes i rekordeve botërore që qëndron në ujë të ftoftë për një kohë të gjatë edhe nëse dëgjohet ai, aplikimi i agjërimit me ujë, ndikon mjaftë mirë për trupin, pastron gjithë trupin nga bakteriet edhe gjithë materialet dëmtuese.

“Dhe në këtë formë nuk e lejon që qelizat e dëmtuara me e kriju një sëmundje brenda nesh e ne e dimë që kemi shumë sëmundje që nuk po e dijmë se nga vijnë e që sipas Wim Hofit dhe shumë njerëzve të tjerë të cilët kanë bërë studime, mendohet se ushqimi i tepërt është duke i krijuar të gjitha këto sëmundje”, thotë Mula.

Të dhënat e gjetura nga leximi i materialeve të ndrshme, bashkëbisideimi në grupin KTRA dheideja që të provoj diçka të re, e kanë bërë që Arineta të nis agjërimin me ujë.

“Prandaj të gjitha këto më kanë bo që me fillu agjërimin me ujë që e kam zgjatur deri në pesë ditë, përndryshe preferohet deri në tri ditë pa udhëzimin e mjekut mundesh me bo agjërimin me ujë”, thotë ajo, duke mos sygjeruar në asnjë mënyrë që me këtë lloj agjërimi të kalohen mbi 72 pa një këshillë mjekësore.

“Në këto ditët e agjërimit me ujë, mu më ka ndodh për shëmbull ditën e parë të dytë dhe të tretë, nuk e kam ndjerë shumë lodhjen, por në ditën e katërt dhe të pestë kam fillu ma shumë me u lodh në mëngjesin e hershëm”, thotë ajo.

Megjithatë Arineta, tregon se në dy ditët e fundit të agjërimit me ujë, të ketë pas më shumë kujdes në sforcimin fizik të trupit.

“Në këto dy ditët e fundit unë kam bërë ecje, ecjen e kemi bërë bashkë me Blertën që edhe ajo e ka apliku këtë agjërim me ujë, edhe e kemi bërë me këmbë zbathur në Gërmi, sepse edhe kjo është njëra prej metodave që është mjaftë e mire”, tregon ajo përvojat e saj të agjërimit me ujë por edhe aktiviteteve interesante sportive që bën.

Agjërimi për Mulën ka shumë të mira mjekësore, ajo tregon se organizmi i saj nuk ka asnjë problem gjatë kësaj faze.

“Nuk jam me profesion mjeke apo nutriciste edhe është mjaftë e vështirë ne që kemi përvojë jetësore të gjitha ato që i kemi apliku në trupin tonë, me i thanë në publik që kjo është mirë apo kjo është keq. Një mesazh për të gjithë është mirë me ju tregu se çkado që besoni e krijoni bindjen edhe të del mirë”, thotë Mula.

Për alpinistën Mula, agjërimi ka shumë të mira shëndetësore dhe ajo nuk dëshiron ta lidh këtë gjë as me aspektin fetar islam apo qoftë edhe me mundësinë e humbjës së peshës gjatë këtij muaji.

“Me qendru pa konsum të ushqimit e krijon një gjendje shumë të mirë shpirtërore, mendon më thellë, përqendrohesh më shumë në punë. Unë e kam pa, për shembull, punët të cilat i bëj në zyre përqendrimin e kam tepër më të madh”, thotë ajo.

Mula shton se një arsye e veçantë apo motiv për të agjëruar është se për gjatë muajit të Ramazanit për një muaj nga trupi i njeriut largohen toksinat dhe gjërat e dëmshme që mund ta dëmtojnë organizimin e një personi.

“Përndryshe mos konsumimi i ushqimit vjen deri te pika që të gjitha toksinat i largojmë nga trupi”, thotë ajo.

Konsumimi i ushqimeve të shumta e të ndryshme, për mulën paraqet mundësinë e shtuar që njeriu të ketë në organizëm shumë toksina.

“Ushqimi vet ka shumë bakterie dhe munden me u kriju sëmundje të ndryshme, andaj po bëhet një mesazh që nuk duhet me u ushqy me këtë apo atë, sepse sot po kemi produkte tepër që me të vërtetë janë shkatërruese për trupin”, thotë ajo