VIDEO: Ankesa e Duda Baljes i nxerr telashe kandidatit të NDS-së

Emin Neziraj, kandidat për deputet nga partia Nova Demokratska Stranka pas një ankese në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa nuk u certifikua për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakoshme të 14 shkurtit.

Por, ai thotë se ankesa e parashtruar në PZAP nga subjekti politik “Socialdemokratska Unija”, e cila udhëhiqet nga Duda Balje, nuk qëndron.

Për këtë, Neziraj dhe partia e tij NDS dje, siç parashihet me afatet ligjore, kanë dorëzuar një ankesë në Gjykatës Supreme. Kështu, ata po kërkojnë anulimin e vendimit të PZAP-së që mban numrin A nr.14/2021.

“Me ankesë të partisë së Duda Baljes, e kanë shqyrtuar dhe kanë vendosur që unë të hiqem prej listës për kandidat për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 14 shkurt. Si parti nuk kemi qenë të njoftuar në lidhje me këtë vendim por vetëm e kemi pa që në web-faqen e PZAP-së dhe e kemi pa që vendimi është në fuqi. Në atë vendim është thënë diçka qesharake. Unë i kam marrë menjëherë hapat për të mbrojtur identitetin tim së pari, e së dyti edhe për të mbrojtur partinë që përfaqësoj”, thotë Emin Neziraj.

Në vendimin e PZAP-së thuhet se ankesa e partisë SDU përmend edhe disa argumente të cilat e kontestojnë etninë e Nezirajt.

“Emin Neziraj nga lista Nova Demokratska Stranka më datën 07.10.2017 deklaron në faqen e tij në facebook se është në garë për deputet në listën e Nismës ku ka qenë me numër 7 dhe ka deklaruar se është shqiptar”, thuhet në apelin e partisë të cilës i prin Duda Balje.

Por, sipas Nezirajt, kjo gjë nuk është e vërtetë pasi ai nuk ka deklaruar asnjëherë se është shqiptar. Për këtë ai thotë se ka edhe dëshmi.

“Unë në ora 16:00, sot (27.01), e kam dorëzuar ankesën në Gjykatën Supreme ku e kemi cekur që disa pika nuk përputhen. Në sistemin kosovar nuk ka hapësirë që dikush të shprehë identitetin e tij etnik, e vetmja mundësi është për ta marrë një vërtetim nga zyra e posaçme në komunë që deklaron që je me përkatësi etnike”, deklaron ai në një intervistë për KALLXO.com.

“E kam vërtetimin që jam boshnjak, një vërtetim ligjor, më pastaj e kam vërtetimin që jam anëtar i partisë NDS, që dëshmon se jam boshnjak dhe së treti i kam diplomat në gjuhen boshnjake, që i kam kryer shkollimet në këtë gjuhë”, thotë tutje ai.

PZAP pas ankesës së pranuar kishte kërkuar edhe një përgjigje nga KQZ për të dëshmuar etninë e Emin Nezirajt nga NDS.

“Zyra nuk ka njohuri për ndonjë  data bazë të shtetasve të Kosovës e cila do të përmbante edhe përkatësinë etnike të qytetarëve dhe për ekzistencën e ndonjë institucioni të Kosovës i cili do të lëshojë ndonjë certifikatë për përkatësinë etnike”, thuhej në përgjigjen në ankesë të KQZ-së dorëzuar në PZAP.

Këtë, në një përgjigje për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe zyra për medie e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Lidhur me pyetjen tuaj, ju njoftojmë se etnia nuk shënohet në dokumentet e gjendjes civile, apo regjistrin qendror të gjendjes civile”, thuhet në përgjigje.

Në anën tjetër, Duda Balje nga partia SDU ka thënë se ankesën e kanë bazuar në disa fakte.

“Background i kandidatit në NDS është i njohur për publikun se ka qenë edhe në partitë tjera edhe CV e tij është publike konform rregullave kemi bërë ankesë. Mendoj që është praktikë e dëmshme që në listat e pakicave të ketë pjesëtarë të komuniteteve shumicë, dëmton pjesën tonë të garës dhe krijon pasiguri e pabarazi në garën mes nesh si komunitete”, ka thënë Duda Balje për KALLXO.com.

Ndërsa, kandidati për deputet nga NDS pret që të anulohet vendimi i PZAP-së pas ankesës në Gjykatën Supreme.

“Pres që të mbrohet e drejta ime dhe e secilit për identitet dhe të vendoset ashtu siç e parasheh ligji dhe vendimi i PZAP-së të shfuqizohet”, ka thënë Neziraj.