VIDEO - Aktakuza ndaj Naim Murselit dhe të tjerëve, deklarohet vëllai i Liridona Ademajt

Leonard Ademaj, vëllai i Liridona Ademajt, më 15.01.2025 është deklaruar për media pasi është bërë e ditur se Prokuroria ka ngritur Aktakuzë ndaj Naim Murselit dhe të tjerëve, lidhur me rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.

Ai ka deklaruar se e mirëpret Aktakuzën, ndërsa ka thënë se ajo çfarë duan është që Gjykata sa më shpejt të marrë vendim lidhur me rastin.

“E mirëpres Aktakuzën. Ne kemi besu në Drejtësi dhe vazhdojmë të besojmë. Ajo çka duam është që Gjykata sa më shpejt të marrë një dënim kapital, në lidhje me rastin. Ende nuk e kemi marrë Aktakuzën.” – u shpreh ai.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi në një Konferencë për media më 15.01.2025 ka bërë të ditur se kanë ngritur Aktakuzë, lidhur me rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.

Gashi ka thënë se lidhur me rastin janë zhvilluar hetime në shumë dimensione dhe se kanë siguruar ekspertiza nga brenda dhe jashtë vendit.

Të akuzuarit janë Naim Murseli, ish-bashkëshorti i Liridona Ademajt, Kushtrim Kokalla e Granit Plava dhe një person tjetër të cilit prokurorja e rastit, Javorka Perlinçeviq nuk ia përmendi emrin.

Ajo tha se i njëjti nuk është i përfshirë në mënyrë direkte dhe se rastësisht është gjendur aty.

Prokurorja e rastit, Javorka Perlinqeviç ka thënë se nuk mund të bëj të ditura motivet e rastit.

Megjithatë tha se përderisa kanë jetuar në Suedi, Liridona Ademaj dhe Naim Murseli kanë pasur marrëdhënie të çrregullta martesore e familjare, prej të cilave kanë ardhur edhe probleme pasurore.

Vrasja e Liridona Ademajt – Prokurorja flet për një nga motivet e rastit

Liridona Ademaj ishte vrarë më 29.11.2023, në ora 20:25, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë dhe – sipas Prokurorisë – dorasi ishte pajisur me armë dhe ishte inskenuar një grabitje.

Sipas Prokurorisë, ndaj Naim Murselit rëndon vepra penale “vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, për Plavën rëndon vepra penale “vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje”, ndërsa për Kushtrim Kokallën “marrëveshja për ta kryer veprën penale të vrasjes së rëndë”.

Më 27.12.2024, Gjykata e Prishtinës ua ka vazhduar edhe për dy muaj të tjerë masën e paraburgimit Naim Murselit, Kushtrim Kokallës e Granit Plavës, të dyshuar për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt. Të njëjtit gjenden në këtë masë, që nga nëntori i vitit 2023.

Vrasja e Liridona Ademajt – Aktakuzë ndaj Naim Murselit dhe tre të tjerëve – VIDEO