VIDEO - Abelard Tahiri përplas kutinë ku pritet të hidheshin votat për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka përplasur kutinë në të cilën pritej të vendoseshin votat e deputetëve për kandidatët për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese.

Tahiri pasi ka biseduar për një kohe me deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje Sali Zybën dhe shefen e grupit parlamentar të kësaj partie Mimoza Kusari-Lilën, ka përplasur kutinë ku do të hedheshin votat për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Kliko KËTU për ta parë videon e plotë.

Nën zhurmat që po shkaktonte përplasja e shisheve të ujit në tavolina dhe fishkëllimat e opozitës  Kuvendi i Kosovës ka vazhduar seancën në të cilën si pikë e rendit të ditës është votimi i kandidatëve për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese.

Mazhoranca ka vazhduar me krijimin e komisionit për votim, përderisa opozita ka vazhduar me protestën e tyre.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kanë kërkuar që të largohet nga rendi i ditës pika për votimin e dy gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Para Tahirit, një aksion të ngjashëm me kutinë e votimit e kishte bërë edhe deputeti i LDK-së, Armend Zemaj që kishte marrë kutinë në të cilën pritet të vendosen votat e deputetëve për kandidatët për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese.

LDK dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kanë kërkuar që të largohet nga rendi i ditës pika për votimin e dy gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

BIRN ka monitoruar këtë proces, konkursi për zgjedhjen e dy gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese është përmbyllur pas një procesi jotransparent të përzgjedhjes së kandidatëve që do të dërgohen në Kuvendin e Kosovës për votim.

Komisioni vlerësues kishte vendosur të mbyllte për publikun dhe monitoruesit poentimin e kandidatëve pas intervistimit të tyre.

Për pozitën e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës kanë aplikuar 13 persona.

Pas përfundimit të testit me shkrim dhe intervistave, komisioni ka vendosur të dërgojë në Kuvend për votim katër kandidatë: Etrur Maloku, Dukagjin Abdyli, Albert Avdiu dhe Bardh Bokshi.