Abelard Tahiri. Foto: Atdhe Mulla

VIDEO - Abelard Tahiri do të kërkojë në gjykatë pezullimin e vendimit të Albulena Haxhiut

Ish-ministri i Drejtësisë nga PDK, Ablelard Tahiri, e ka quajtur të kundërligjshëm vendimin e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për anulimin e provimit të noterisë.

Në një intervistë për televizionin 21, ai tha se nuk e di se mbi cilën bazë ligjore është marr vendimi për anulimin e provimit.

“Kemi një vendim arbitrar nga ministrja e Drejtësisë i cili është vendim i paligjshëm konsiderojmë ne. Ende nuk e kemi parë vendimin pra, ministrja ende nuk e ka deklaruar dhe ende nuk e thënë qartë bazën ligjore mbi të cilën e ka anuluar këtë proces”, ka thënë Tahiri.

“Ky veprim, mendoj unë, është i ngutshëm”, ka thënë ish-ministri Ableard Tahiri.

Ai i ka quajtur vetëm deklarata politike arsyet që janë dhënë nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

“Këto janë deklarata politike të një ministre dhe që nuk kanë bazë ligjore dhe është e padrejtë nga ana e një njeriu që tashmë është i veshur me pushtet”, thotë tutje ai.

Ish-ministri ka thënë se do të ankohen në gjykatë dhe do të kërkojnë pezullimin e vendimit.

“Unë me ekipin tim do ta argumentojmë në bazë të rregullativave në fuqi sepse ne s’jemi palë direkt, ne do ta argumentojmë dhe do të kërkojmë pezullimin e vendimit të ministrisë nga ana e gjykatës”, ka deklaruar ai.

Ditë më parë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu mori vendim për anulimin e provimit të noterisë.

Haxhiu: Jo monopoleve në sistemin e drejtësisë, konkursi për noterë hapet së shpejti

www.kallxo.com