'Vëzhgimi' afatgjatë i Kosovës në Procesin e Bolonjës

Kosova është e njohur si një nga vendet e para të rajonit që ka filluar ta zbatojë Procesin e Bolonjës në sistem të arsimit të lartë, por nga viti 2001 deri më tani, ajo ka arritur të bëhet anëtare vëzhguese në hapësirën e përbashkët arsimore të Evropës dhe jo anëtare me të drejta të plota.

Një nga arsyet pse Kosova nuk ka mundur të jetë pjesë e hapësirës evropiane të arsimit, ka qenë vetoja e Rusisë dhe me përjashtimin e kësaj të fundit nga Këshilli i Evropës, njohësit e arsimit konsiderojnë si moment epik për antarësim të Kosovës në KE.

Deklarata e Bolonjës u nënshkrua nga 29 vende në vitin 1999 me qëllimin e krijimit të një zone të përbashkët evropiane të arsimit të lartë (EHEA) deri në vitin 2010.

Procesi i Bolonjës ka natyrë vullnetare dhe është hapur për adoptim nga çdo vend i interesuar. Megjithatë, për t’u bërë anëtarët e Procesit të Bolonjës, duhet të nënshkruhet Konventa Kulturore Evropiane e Këshillit të Evropës.

Së fundmi, me fillimin e luftës në Ukraina nga Rusia ka situata. Këshilli i Evropës para 5 ditësh zyrtarisht e ka përjashtuar Rusinë nga ky këshill, ndërsa Kosova ka njoftuar për aspiratat e saj për anëtarësim në këtë Këshill.

Kosova ka aplikuar tri herë që të jetë anëtare me të drejta të plota në këtë proces, në vitet 2005, 2007 dhe 2014, por ka arritur të jetë vetëm si anëtare vëzhguese.

Mospranimi i Kosovës në Procesin e Bolonjës – çështje politike

Disa nga arsyet pse Kosova nuk u pranua në vitin 2005 dhe 2007 ishin pasi Kosova nuk është palë Konventës Kulturore Evropiane si dhe nuk ishte shtet i pavarur.

“Statusi i Kosovës pengoi anëtarësimin e plotë, por mund të ketë mënyra të tjera në të cilat Kosova mund të lidhet me Procesin”, thuhet në vendimin e takimit ndërministror të vendeve të Evropës në vitin 2007 në Londër.

Ish-ministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arsim Bajrami e mbanë mend mjaftë mirë kur Kosova u refuzua si anëtare në këtë proces në vitin 2015.

Bajrami për KALLXO.com thotë se e gjithë çështja e Kosovës ka qenë politike.

“Pranimi i Kosovës në procesin e Bolonjës është një çështje politike dhe lidhet drejtpërdrejtë me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, sepse në momentin kur Kosova pranohet si anëtare fuqiplote e KE-së bëhet pjesë e shumë konventave ndërkombëtare  të fushës së arsimit, kulturës dhe shkencës”, thotë Bajrami.

Sipas Bajramit, deri më tash kërkesat janë refuzuar për arsye politike për shkak të vetos ruse.

“Por, tani kur Rusia është suspenduar prej Këshillit për shkak të agresionit në Ukrainë  është një mundësi e mirë që të pranohet aplikacioni i Kosovës për anëtarësim në KE dhe menjëherë automatikisht Kosova mund të bëhet edhe anëtare e procesit të Bolonjës”, thotë Bajrami.

Ish-ministri thotë se Kosova madje ishte një nga shtetet e para që ka eksperimentuar më këtë proces në arsimin e lartë.

“Kosova është shteti i parë në Evropë që ka filluar me aplikimin e sistemit të Bolonjës në vitin 2001-2003 dhe Bolonja si koncept i arsimit të lartë është fillu në Kosovë dhe është eksperimentuar në Kosovë për herë të parë dhe prej 2003 po bëhen 20 vite që Kosova aplikon sistemin e Bolonjës dhe Kosova është pjesë e shumë projekteve evropiane dhe diplomat e Kosovës të fituara sipas Procesit të Bolonjës pranohen në shumë shtete evropiane dhe anembanë e botës dhe është një padrejtësi e madhe që edhe formalisht nuk jemi anëtarë e Bolonjës”, thotë Bajrami.

Bajrami më tej rithekson se mos anëtarësimi i Kosovës është padrejtësi politike jo pse Kosova nuk i plotëson kushtet, por vetëm se Kosova nuk është pjesë e Këshillit të Evropës, “që është organ nënshkrues i shumë konventave që kanë të bëjnë me arsimin e lartë”.

Dëmetimet e Kosovës në mos-integrimin e Procesit të Bolonjës

Eksperti i Arsimit, Xhavit Rexhaj thotë se mos antarësimi i Kosovës në këtë proces, në periudhën e pasluftës e ka dëmtuar konsiderueshëm vendin.

“Kosova e ka pasur të vështirë të integrohet në hapësirën evropiane të arsimit të lartë që shprehet me pamundësinë e studentëve të regjistrohen ose të vijojnë studimet në instucionet tjera apo mos njohjen e drejtpërdrejtë të diplomave tona, mobilitetet më të vogla, do të thotë ka pasur relativisht efekt negativ mos integrimi i plotë i joni në procesin e Bolonjës”, thotë Rexhaj për KALLXO.com.

Sipas tij, statusi aktual i Kosovës si vëzhgues në Procesin e Bolonjës është zgjidhje e përkohshme që ka zgjatur tash e dy dekada.

“Anëtarësimi i vëzhguesit të Kosovës është zgjidhje e përkohshme që po zgjatë qe dy dekada, por statusi i vëzhguesit nuk ti jep të gjitha të drejtat, nuk je pjesë e tryezës së parë dhe ne duhet të bëjmë më shumë që ta heqim këtë statusin e vëzhguesit sepse edhe në trupa të tjera mbesim në tryezën e dytë, ne duhet të lëvizim ka anëtarësia e plotë”, shton Rexhaj.

Si do të ndikonte anëtarësimi i Kosovës në Procesin e Bolonjës?

Profesoresha e Fakultetit të Edukimit në Universitetin e Prishtinës ‘Hasan Prishtina’, Fjolla Kaçaniku, ia ka kushtuar disa publikime shkencore anëtarësimit të Kosovës në këtë proces.

Ajo për KALLXO.com ka treguar ndikimin e anëtarësimit të Kosovës në këtë proces.

“Edhe pse anëtarësimi i Kosovës në Procesin e Bolonjës mund të konsiderohet si një proces formal politik dhe jo medoemos me ndonjë ndikim direkt në arsimin e lartë në Kosovë, praktikat e shteteve të ndryshme identifikojnë një numër të konsiderueshëm të përparësive me anëtarësim në këtë proces”, thotë ajo.

Profesoresha shton se Kosova është pjesë e Procesit të Bolonjës si shtet observues pa të drejta të plota dhe Kosova i implementon të gjitha objektivat e Procesit të Bolonjës.

“Të gjitha institucionet e arsimit të lartë kalojnë (i) nëpër procesin e jashtëm të sigurimit të cilësisë (akreditimi institucional dhe programor), (ii) programet studimore janë konvertuar në 3 vjet (BA) + 2 vjet (MA) + 3 (PhD), dhe (iii) ekziston sistemi ECTS i kredive”, shton Krasniqi.

Edhe ajo thekson se në vitin 2005, 2007 dhe 2014 (aplikacionet parapraket të Kosovës për anëtarësim në Procesin e Bolonjës), Kosovës iu mohua anëtarësimi në Procesin e Bolonjës për shkak të arsyes politike se “Kosova nuk është palë e Konventës Kulturore Evropiane”.

Ajo liston disa nga përparësitë si në vijim nëse Kosova bëhet anëtare e këtij procesi:

  1. Harmonizimin e Ligjit të Kosovës për arsimin e lartë me parimet dhe objektivat e përgjithshme të Procesit të Bolonjës dhe EHEA
  2. Rritjen e përputhshmërisë dhe krahasueshmërisë së arsimit të lartë me vendet nënshkruese dhe më gjerë
  3. Promovimin e punësueshmërisë duke lehtësuar zhvillimin e mëtejshëm dhe përmirësimi i Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve (KKK)
  4. Rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar, mobilitetin e studentëve dhe stafit akademik/shkencor me vendet e zonës evropiane të arsimit të lartë (EHEA)
  5. Rritjen e kapaciteteve për kërkime/hulumtime, inovacion dhe transfer të teknologjisë dhe rritjen e bashkëpunimit me vendet e EHEA
  6. Forcimi i sistemit të sigurimit dhe përmirësimit të cilësisë
  7. Fuqizimi i zhvillimit të programeve të përbashkëta ndërkombëtare

A duhet të bëhet aplikimi i Kosovës tani?

Ditëve të fundit, zyrtarët shtetëror kanë ngritur zërin e tyre për mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, pas largimit të Rusisë nga ky këshill.

Ndërsa, nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit nuk kanë bërë të ditur nëse janë duke u përgatitur për aplikim në Procesin e Bolonjës.

“Herën e fundit, Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Procesin e Bolonjës në Konferencën e Yerevanit të mbajtur në vitin 2015.  Çdo vendim për hapat e mëtutjeshëm do të merret në bashkërenditje me partnerët ndërkombëtarë”, thuhet në përgjigjen e MAShTI-it.

Ndërsa, eksperti i Arsimit, Xhavit Rexhaj është imendimit që Kosova të nis një fushatë për anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës, jo vetëm për pjesën e arsimit por edhe për sektor të ndryshëm.

“Është koha, sepse ikja e Rusisë nga Këshilli i Evropës konsideroj që është një lajm i mirë në kuptimin e integrimit të Kosovës, jo të proceseve të tjera dhe do të duhej të shfrytëzuar kjo mundësi tani”, thotë Rexhaj.

Ish-ministri i Arsimit po ashtu konsideron se MAShTI duhet të jetë më agresive dhe të bëjë më shumë për anëtarësim të Kosovës në procesin e Bolonjës.

“Mendoj se duhet me qenë të gatshëm, në mënyrë që në rast se kur Kosova të jetë gati për në Këshill të Evropës që mos të kemi nevojë që atëherë t’i fillojmë proceset. Prandaj, në kuptim të koordinimit të dy proceseve,  MASHTI duhet të bëjë më shumë, me kontaktuar më shumë, me i përgatit dokumentet e duhura ma shumë në mënyrë që të mbërrihet më shumë drejt anëtarësimit formal në Procesin e Bolonjës”, tha më tej Rexhaj për KALLXO.com.