Veturat e parkuara ia pamundësuan zjarrfikësve intervenimi e plotë në shtëpinë e djegur në Prishtinë

Udhëheqësi i ndërrimit të zjarrfikësve, Halim Dobratiq ka thënë për KALLXO.com se e patën të pamundur që të intervenojnë me kapacitete të plota në shtëpinë e djegur në Prishtinë.

Sipas tij, informatat për këtë zjarr janë marr në kohë, e edhe zjarrfikësit kanë qenë prezent në vendngjarje në kohë.

Mirëpo, për shkak të veturave që kanë qenë të parkuara afër shtëpive që gjenden mbrapa Qendrës së Mjekësisë Familjare në Dardani, atyre iu pamundësua intervenimi me kapacitete të plota.

“Ne besoj që e kemi marr lajmin me kohë, edhe kemi ardh me kohë. Rruga ka qenë e bllokune nuk kemi mujtë me ardh me kamionët tonë tek vendi. Ka pas kerre të parkune në rrugë edhe ka qenë e pamundshme me ardh” – tha ai.

Dobratiq tha se automjetet e tyre e patën të pamundur që t’i afrohen zjarrit për gati 15 minuta.

“Për zjarrin janë shumë minutat, mundemi me thanë që për 10-15 minuta. Po për zjarrin janë shumë, për qata minuta ekipi jonë kishim arrit me e ndërpre zjarrin, me e blloku për mos me u zgjeru” – shtoi tutje shefi i ndërrimit.

Zjarri është lokalizuar, ndërsa zjarrfikësit po vazhdojnë të jenë prezent në vendin e ngjarjes.

Rasti është konfirmuar edhe nga zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahemti, e cila tha se deri më tani nuk është raportuar për ndonjë person të lënduar.

Në vendin e ngjarjes janë parë edhe ekipet mjekësore që kanë ndihmuar një person.

Prishtinë, Policia jep detaje për zjarrin në shtëpi banimi