Veturat e Koha.net dhe Televizionit 7 demolohen gjatë natës në Zveçan

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka njoftuar se vetura e ekipeve të KOHËS dhe T7 që kanë raportuar dje nga Zveçani, janë gjetur mëngjesin e sotëm të demoluara.

Në këto makina janë gjetur xhama të thyer, goma të shpërthyera dhe simbole nacionaliste.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është thellësisht i shqetësuar me pamjet e dhëna nga këto dy mediume.

“U bëjmë thirrje të gjithë kolegëve që të kenë kujdes të shtuar gjatë raportimit. Njëherësh, u bëjmë thirrje organeve kompetente që ofrojnë siguri për gazetarët që raportojnë nga këto komuna, si dhe t’i hetojnë me prioritet të gjitha sulmet ndaj medieve që kanë ndodhur gjatë ditës së djeshme”- thuhet në njoftimin e AGK-së.

Gjatë ditës së djeshme po ashtu makina të shumta të mediave janë dëmtuar, madje asaj të ekipt Tëvë 1 i është vënë flaka.

Sulmi ndaj mediave është dënuar nga shumë ambasadorë të vendeve të QUINT-it.

Foto: Driton Paçarada / KOHA