Vetura zyrtare e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike bart dërrasa rrugëve të Vushtrrisë 

Të shtunën, më 14.12.2024, në rrugën pranë objektit të Komunës së Vushtrrisë është parë një veturë zyrtare e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP).

KALLXO.com mëson se vetura me targa 3Z-122-02 është parë në qytetin e Vushtrrisë dhe kishte të ngarkuara dërrasa. 

KALLXO.com ka dërguar pyetje në AKSP, të cilët kanë pohuar se kjo veturë është veturë zyrtare e tyre dhe se, më datë 14.12.2024, ka qenë në lëvizje me leje nga drejtori i Administratës së AKSP-së, Rrahim Rexha. 

Siç thuhet në arsyetimin e tyre, në këtë rast, vetura ka qenë duke bartur materiale për t’u përdorur në Akademi. 

“Ju njoftojmë se vetura (kombi) me targa 3Z-122-02 është pronë e AKSP-së dhe më datë 14.12.2021 ka qenë në lëvizje me leje nga drejtori i Administratës pranë AKSP-së, z.Rrahim Rexha (mirëpo, jo duke u drejtuar nga ai), duke bartur disa materiale të cilat janë përdorur në Akademi (AKSP) për punimin e stazave, për të mundësuar lëvizjen e personave me aftësi të kufizuar në kuadër të ngjarjes (eventit) të mbajtur në Akademi (AKSP), nga Mini Olimpiada e Kosovës.” – thuhet në përgjigjen e tyre, të përcjellur, më 16.12.2024. 

Tutje, nga AKSP bëjnë të ditur se ky automjet përdoret ende nga Divizioni i Logjistikës në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike.