Ilustrim

Vetura u fut në shëtitoren në Fushë Kosovë, shtypi këmbën e një fëmije

Natën e mbrëmshme, një fëmijë në Fushë Kosovë ka marrë lëndime pasi një veturë e ka shtypur në këmbë.

Policia e Kosovës, në raport 24 orësh nuk ka dhënë ndonjë informatë në lidhje me këtë rast.

KALLXO.com gjatë ditës së sotme ka kontaktuar me Komandantin e Trafikut në Fushë Kosovë, Milaim Fejzullahu.

Ky i fundit tha se ngjarja ka ndodhur në shëtitoren në Fushë Kosovë.

“Ka qenë një automjet që ka hyrë në shëtitore në kohën kur ka qenë e ndaluar. Aty kanë qenë edhe disa fëmijë, shokë duke luajtur, vetura sipas informacioneve që kemi, ka qenë duke vozitur ngadalë por që gjatë lëvizjes njërit nga fëmijët i ka shtypur këmbën me gomën mbrapa”- tha Komandanti Fejzullahu.

Gjatë ditës së sotme, një faqe në rrjete sociale ka publikuar një informacion se një këmbësore është goditur me makinë në lagjen “Dardania” në Fushë Kosovë.

KALLXO.com konfirmoi se bëhet fjalë për një fëmijë i cili pësoi lëndime në këmbë.