Vetura, streha e vetme e dy vëllezërve pa shtëpi - VIDEO

Vetura është streha e vetme e vëllezërve Tomor e Isuf Bedra nga Gjakova, që thuajse 1 vit.

Ata më parë kanë qëndruar në banesën, të cilën ata pretendojnë se e kanë paguar përmes bankës, e një pjesë në dorë, në vitin 2011.

Por, shitësi i banesës mohon të ketë marrë paratë. Për këtë çështje vëllezërit treguan se kanë qenë edhe në gjyq, ku kanë humbur rastin, sipas tyre padrejtësisht.

Pas humbjes së gjyqit, ata janë detyruar ta lëshojnë banesën, dhe që nga data 1 nëntor 2021 jetojnë në veturë.

Tomor Bedra për KALLXO.com rrëfen kushtet e rënda në të cilat ata jetojnë.

“Paramendo qysh jeton, banon, flen njeriu në veturë… Dimrin e vjeshtën, vitin e kaluar, -10-15 kemi ndejt me vëllain në veturë” – tha ai.

Bedra tregoi edhe se çfarë zgjidhje kanë gjetur për t’i plotësuar nevojat elementare të jetës.

“E shfrytëzojmë WC-në e parkingut, edhe komuna një kohë, drejtori i administratës së përgjithshme na e ka mundësu me përdor tualetin e komunës. Çështjen e pastrimit krejt, (e bëjmë) te një shok, pastrimit të rrobave e këto” – tregoi ai.

Të dy të papunë, ata thonë se nuk kanë asnjë të ardhur, përderisa mbijetojnë me ndihma të familjarëve e të shoqërisë.

Ndërkaq, që dy muaj një shujtë ditore, për 6 ditë në javë ua mundëson shoqata bamirëse “Bereqeti”.

Për t’i nxjerrë nga kjo situatë ata thanë se kanë kërkuar nga Komuna e Gjakovës që t’u bëjë një zgjidhje.

“Kemi bo kërkesë, e kanë pa rastin ata, e kanë ditë që jemi duke banu në parking, në veturë, prej nëntorit 2021. Kanë thanë një herë, janë deklaru që s’kemi banesa (sociale), se janë të nzëna”- tregoi Bedra.

Ndërsa, shtoi se më vonë u kanë thënë se komuna do t’ua paguajë qiranë për 6 muaj, por duhet të presin derisa të aprovohet buxheti i vitit 2022.

Mirëpo, ai thotë se edhe pas miratimit të buxhetit u kanë thënë se ende nuk është miratuar.

Së fundmi kjo çështje çështje është ngritur edhe në asamblenë komunale të Gjakovës nga asamblisti i Alternativës, Agon Dobruna. Sipas Bedrës, në seancë komuna ka kërkuar që ata ta gjëjnë një qiradhënës, që t’ua paguajë qiranë, por ai thotë se qiradhënësit nuk po pranojnë pagesë përmes bankës.

Drejtoresha e Mirëqenies Sociale, Adelina Shehu – Kola tha për KALLXO.com se ata nuk mund t’u japin para në dorë askujt, dhe se ajo nuk ka marrë asnjëherë kërkesë me shkrim nga vëllezërit Bedra.

Ajo po ashtu thotë se kjo çështje është politizuar në kuvendin komunal.

“Është bërë pak politike për shkak të kryetarit të degës së Alternativës. Që dy herë më bëhet e njëjta pyetje edhe në Asamble, por kjo po i ngjan pak si politikisht, por që unë, në të dy përgjigjet kam thënë që unë nuk kam kërkesë të këtyre dy vëllezërve”, tha ajo.

“Sipas informacioneve prej ish-drejtoreshës, pra zyrtares për Mirëqenie Sociale, unë kam dëgju që ata ju kanë ofru këtyre një qira prej 6 muajve. Por që ata nuk kanë kërku qysh paguhet nëpërmjet ligjit, por kanë lyp pare cash në dorë, paret cash në dorë, nuk kemi mundësi që i japim. Jo vetëm atij, por askujt se nuk e lejon ligji.” – tha Shehu – Kola.

Megjithatë ajo tha se i lut ata që të bëjnë kërkesë me shkrim.

“Unë prapë i lutna që ata të bëjnë kërkesë, na i verifikojmë sipas ligjeve në fuqi dhe për ne nuk është problem, se nuk janë veç këta dy persona na që ju paguajmë qera, por kemi shumë familje që ju paguajmë, që janë në nevojë”- përfundoi ajo.

Një ditë pas kësaj interviste me KALLXO.com, drejtoresha tregoi se i ka ftuar ata në takim dhe tha se janë marrë vesh që ata ta bëjnë një kërkesë tjetër për pagim të qirasë.

Këtë gjë për redaksinë e konfirmoi edhe Tomor Bedra.