Ilustrim - Foto: KALLXO.com
Vetura godet për vdekje një këmbësor në Balincë të Malishevës
Një këmbësor është goditur për vdekje nga një veturë në fshatin Balincë të Malishevës.
Lajmin e ka bërë të ditur Policia e Kosovës, duke dhënë detaje shtesë rreth këtij aksidenti me fatalitet.
Sipas Policisë, me datën 07.05.2021 rreth orës 18:10, në rrugën magjistrale Prishtinë –Pejë, pikërisht në fshatin Balincë të Malishevës ka ndodhur një aksident trafiku – goditje e këmbësorit nga një veturë e cila ka rezultuar me fatalitet.
“Deri te aksidenti i ndodhur dyshohet se ka ardhur derisa automjeti kishte qenë duke qarkulluar në aksin rrugor Prishtinë-Pejë, mirëpo me të arritur në fshatin Balincë, derisa vetura kishte qenë në lëvizje në shiritin e majtë qarkullues për një moment papritmas para i ka dalë një këmbësor në rrugë i cili kishte ardhur prej anës së majtë të rrugës, duke i kaluar barrierat e metalta”, thuhet në raportin e Policisë.
Me këtë rast, vozitësi duke mos e vërejtur nuk ka mundur që ta evitoj goditjen dhe me pjesën e parme ballore e ka goditur këmbësorin duke e bartur atë disa metra përpara e përplasur në rrugë”, thuhet ndër të tjerash në raportin përshkrues të Policisë.
Si pasojë e goditjes, këmbësori kishte pësuar lëndime serioze për jetë ndërsa vdekja e tij është konstatuar nga mjekët.
Në vendin e ngjarjes përveç njësive policore ka dalë edhe prokurori i shtetit. Me vendim të prokurorit i dyshuari ndalohet për 48 orë.