Vetura godet këmbësorin, veturat dhe Shtëpinë e Kulturës në Prizren

Një vetaksident trafiku ka ndodhur mbrëmë pak para mesnatës në fshatin Zhur të Prizrenit.

Sipas njoftimit të policisë si pasojë e këtij vetaksidenti përveç drejtuesit lëndime pësoi edhe një këmbësor e po ashtu u dëmtuan vetura dhe Shtëpia e Kulturës.

Policia ka njoftuar se i dyshuari derisa kishte qenë duke drejtuar automjetin BMW pa targa, ka humbur kontrollin ndaj automjetit me ç’rast ka goditur një këmbësor i cili ishte në trotuar, dhe dy automjete të cilat ishin të parkuara, ku njëra nga veturat nga goditja është përplasur në rrethojat e Shtëpisë së Kulturës.

Si pasojë e aksidentit viktima e këtij rasti ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe i njëjti është duke u trajtuar në repartin e ortopedisë.