Vetura e vjedhur në Gjermani gjendet në Mitrovicën Veriore

Policia e Kosovës ka njoftuar se një veturë e vjedhur në Gjermani është gjetur dhe konfiskuar në Mitrovicë të Veriut.

Vetura e tipit BMW 320 me targa gjermane është lokalizuar në Kosovë si rezultat i bashkëpunimit ndërkombëtar mes autoriteteve gjermane dhe Policisë së Kosovës, konkretisht Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Fushën e Zbatimit të Ligjit (ILECU).

“Automjeti i kërkuar është lokalizuar në veri të vendit, ku njësitet policore të Drejtorisë Rajonale Mitrovicë Veri, falë veprimeve të menjëhershme operativo-hetimore kanë lokalizuar dhe konfiskuar automjetin e kërkuar, i cili ka qenë i parkuar në një lokacion në komunën Mitrovicë Veri” – thuhet në njoftimin e Policisë.

Lidhur me rastin janë duke u kryer të gjitha veprimet e mëtejme ligjore dhe hetimore, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë dhe të autoriteteve të shtetit gjerman.