Foto: Alsat M
Vetura bie në Vardar - Gjenden tri viktima, shpëton një fëmijë e ndërpriten kërkimet për personin e katërt
Një veturë ka rënë në lumin Vardar në Maqedoninë e Veriut, në rrugën Rashqe-Saraj, raporton Alsat M.
Siç raporton Alsat M, tri viktima gra janë gjetur në veturën e rënë në lumë, një fëmijë 5 vjeçar ka shpëtuar dhe është gjetur nga disa kalimtarë të rastit kurse ende nuk dihet për një person tjetër që gjendej në veturë.
Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut në njoftimin e saj ka thënë se aksidenti ka ndodhur rreth orës 16:00 të 02.01.2025.
Sipas Alsat M, fëmija 5 vjeçar është dërguar në Spital kurse Policia ka nxjerr nga vetura tri viktimat gra. Për disa orë raportohet të ketë vazhduar kërkimi i personit tjetër që dyshohet se ka qenë në veturë por që në orët e mbrëmjes kanë pushuar kërkimet për të vazhduar të premten, më 03.01.2025.
Ndërprerja e kërkimit të personit tjetër që ishte në veturë, sipas raportimit ka ndodhur për shkak të kushteve atmosferike dhe vështirësive për të parë.
Jozyrtarisht nga ky medium nga Maqedonia e Veriut thuhet se tri viktimat e gjetura janë gra kurse viktima e katërt, i cili ende nuk është gjetur është burrë.