Veton Berisha

Veton Berisha i PLE mirëpret anulimin e disa votave nga PZAP, paralajmëron ankesë në Supreme

Kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane dhe kandidati për deputet, Veton Berisha, e ka mirëpritur anulimin e disa votave të partisë “Romani Iniciativa” nga ana e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Ai po ashtu ka kërkuar që të anulohen votat edhe në pesë komuna tjera përveç atyre që janë anuluar.

“Kemi marr vendim pozitiv (është pranuar ankesa e jonë) për anulimin e votave të ‘Romani Iniciativa’ nga ana PZAP-së por është e pjesërishme, vetëm për 5 komuna. Me vendimin e PZAP-së ’Romani Iniciativa’ ka urdhëruar KQZ-në që të largohen nga rezultati përfundimtar votat e fituara në mënyrë të orkestruara në 5 komuna (Leposaviq, Novobërdë, Ranillug , Partesh dhe Kllokot)”, ka shkruar ai.

Ai ka thënë se do të dorëzojnë ankesë nesër në Gjykatën Supreme edhe për disa vendvotime të tjera.

“Ne do të ushtrojmë të drejtën tonë duke ushtruar ankesë në Gjykatën Supreme për të realizuar të drejtën e plotë për të u larguar edhe votat e orkestruara në komunat Graçanicë, Mitrovica Veriore, Lipjan, Kamenicë dhe vendbanime të tjera pasi që është e njëjta gjendje ku edhe aty ka vota të orkestruara”, ka shkruar Berisha.

Ai tutje ka bërë të ditur se ankesa do të dorëzohet nesër rreth orës 11:00.

Sot, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka marrë vendim që t’i anulojë 4 mijë e 205 vota për inciativën e Adrijana Hoxhiqit në 10 komuna me shumicë serbe në Kosovë. Përveç votave të Hoxhiqit, janë anuluar edhe votat për koalicionin VAKAT, SDU e Nasha.

Ndërsa, ankesën e PLE-së dhe disa partive të tjera e ka pranuar si pjesërisht të bazuar duke anuluar disa vota të subjektit politik Romani Iniciativa.