Vetmenaxhim apo Asociacionin, Lajçak jep sqarimet
Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak ka sqaruar dallimin në mes të vetmenaxhimit dhe Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe të dakorduar në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Në një intervistë për REL, Lajçak ka thënë se neni i 7-të i cili flet për vetmenaxhimin e komunitetit serb, nuk përfshinë zotime të reja për Kosovën.
“Neni 7 flet për nevojën e zbatimit të asaj për të cilën Kosova dhe Serbia veçse janë pajtuar. Kjo nënkupton marrëveshjet e viteve 2013 dhe 2015, që flasin që themelimin e një lloj asociacioni të komunave me shumicë serbe. Përndryshe, kjo do të nënkuptonte Nenin 10, që thotë se të gjitha marrëveshjet e mëparshme, plus Nenin 7, pra aranzhime shtesë, që nuk do të kishte logjikë”- ka thënë Lajçak.
I pyetur nga REL nëse kjo nënkupton krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, emisari evropian ka thënë ‘po’.
Lajçak ka theksuar se për të nuk ka rendësi emri që i vendoset këtij lloj vetmenaxhimi të komunave serbe.
“Unë nuk insistoj tek emri. Unë insistoj në atë që iu shërben të dyja palëve. Por, kjo është shumë e rëndësishme që të gjitha marrëveshjet paraprake duhet të zbatohen plotësisht. Pra, ne nuk mund të zgjedhim marrëveshjen që na pëlqen; cilën ta zbatojmë e cilën ta injorojmë, sepse procesi serioz do të shndërrohej në tallje”- ka theksuar ai.
Më 18 mars në Ohër Kosova dhe Serbia u dakorduan për ankesin e zbatimit të planit të Bashkimit Evropian për normalizimin e raporteve Kosovë- Serbi.
Neni 7 i këtij plani flet për një lloj vetmenaxhimi të serbëve të Kosovës.
Sipas këtij neni, të dyja palët angazhohen të krijojnë marrëveshje dhe garanci specifike, për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës.
Pas takimit të Ohrit është kërkuar që kjo çështje të trajtohet me urgjencë nga pala kosovare.
Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë, kur kryeministër ishte Hashim Thaçi.
Marrëveshja e Brukselit ishte ratifikuar në Kuvendin e Kosovës.
Ndërsa 2 vite më vonë, në gusht të 2015, po ashtu në Bruksel u nënshkrua marrëveshja për themelimin dhe parimet e Asociacionit.
Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë, ku shumica e popullsisë është serbe, të cilat janë Mitrovica e Veriut, Kllokoti, Parteshi, Ranillugu, Graçanica, Zveçani, Zubin Potoku, Novobërda, Leposaviqi dhe Shtërpca.
Marrëveshja fillestare për Asociacionin (e vitit 2013) thekson se Asociacioni do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të Komunave të Kosovës.
Mirëpo edhe në vitin 2015, Kosova dhe Serbia nën ndërmjetësimin e BE-së kishin arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e Asociacionit.
Në tetor të vitit 2015, kjo marrëveshje u dërgua për interpretim në Gjykatën Kushtetuese nga presidentja e atëhershme e Kosovës, Atifete Jahjaga.Gjykata Kushtetuese, në vendimin e nxjerrë në dhjetor të vitit 2015, tha se Marrëveshja për Asociacionin në 23 pika të saj, nuk është në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.
Kjo marrëveshje parasheh se Asociacioni do t’i ketë organet dhe strukturën organizative. Sipas kësaj marrëveshjeje, Asociacioni është paraparë të ketë një kuvend si trup suprem, të përbërë nga përfaqësues të emëruar prej anëtarëve të zgjedhur nga kuvendet e komunave pjesëmarrëse.
Ndonëse nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, partnerët ndërkombëtarë vazhdimisht kanë përmendur se marrëveshja për Asociacionin duhet të zbatohet nga Kosova. E në anën tjetër, nga Qeveria e Kosovës vazhdimisht kanë theksuar se marrëveshja antikushtetuese kurrsesi nuk mund të zbatohet.