Vetëvendosje: Vazhdon angazhimi për qeverinë e re, LDK-së ia kemi bërë 9 oferta

Lëvizja Vetëvendosje përmes një komunikate ka thënë se po vazhdon angazhimi për formimin e qeverisë së re.

Sipas komunikatës, Albin Kurti duke mos pasur ende një marrëveshje me LDK-në, ka vazhduar takimet me përfaqësuesit parlamentarë të minoriteteve.

“Me ta është biseduar për programin e qeverisë së re, dhe sidomos impaktin e saj në përmirësimin e jetës së minoriteteve dhe integrimin e tyre ekonomik e shoqëror në Kosovë. Po ashtu, me ta janë diskutuar emrat e mundshëm të ministrave që vijnë nga minoritetet, njëri prej të cilëve duhet të jetë prej serbëve të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.

Tutje, thuhet se nuk ka pasur diskutime për përfshirje të subjekteve të caktuara minoritare në koalicionin qeverisës. Sipas Vetëvendosjes, këto diskutime nuk mund të bëhen për sa kohë ende nuk ka një koalicion me LDK-në.

Në këtë komunikatë gjithashtu thuhet se kërkesa e Kurtit që të caktohet seanca për formimin e qeverisë, është bërë para se  të takohet me përfaqësuesit e minoriteteve.

“Ne dëshirojmë që në atë seancë të shkojmë me marrëveshje të arritur. Prandaj i kemi bërë deri më tash 9 oferta, që do të thotë se jemi afruar 9 herë drejt LDK-së. Por për këtë duhet sadopak afrim edhe nga ana e LDK-së”, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.

Sot gjatë ditës, mandatari për kryeministër, Albin Kurti, ka kërkuar nga Kryesia e Kuvendit, të caktojë datën për seancën për votimin e qeverisë.

Isa Mustafa: Ne mund të lidhim marrëveshje në çdo moment nëse Vetëvendosje pranon kushtet tona