Vetëvendosje thotë se nuk ka pranuar ftesë nga Vjosa Osmani për çështjen e presidentit

Nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë se nuk kanë pranuar ndonjë ftesë nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani në lidhje me çështjen e presidentit.

Nagavci tha se sipas LVV-së, kjo temë duhet të diskutohet pas zgjedhjeve të reja.

“Me aq sa unë jam e njoftuar deri më tani, nuk kemi ndonjë ftesë të tillë, kjo ndoshta edhe për faktin se Lëvizja Vetëvendosje e ka shprehur qëndrimin e saj, çështja e Presidentit duhet të diskutohet pas zgjedhjeve të reja, sepse çdo negocim paraprakisht është e qartë që është negocim për interesin e grupeve të ngushta klienteliste gjegjësisht krerëve të partive politike e jo në interes të vendit”, tha ajo duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari në konferencë për media.

Sipas Nagavcit, një president/e i zgjedhur nga kjo legjislaturë nuk do të mund të përmbushte obligimin kushtetues si president/e unifkues.

Ndërkaq, këshilltari i Osmanit, Faton Peci ka dalë me një sqarim gjatë ditës lidhur me këtë çështje.

Sipas Pecit, Osmani asnjëherë nuk ka thënë që do t’i ftojë se do t’i ftojë subjektet politike për çështjen e zgjedhjes se presidentit.

“Sot një gazetar, gjatë konferencë për shtyp të nënkryetares se kuvendit,  ka bere pyetje me sugjerimin se u.d Presidentja ka thëne se do t’i ftojë subjektet politike për çështjen e zgjedhjes se presidentit. Siç konfirmohet ne intervistën për RTK, ajo ASNJËHERË nuk ka thënë se do ti ftojë subjektet për TEMËN E PRESIDENTIT”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas këshilltarit, Osmani e ka bërë të qartë qëndrimin se Presidenti duhet të derivojë nga zgjedhjet e reja dhe Parlamenti i ri.

“Përkundrazi, e ka bërë të qartë qëndrimin e saj se Presidenti duhet të derivojë nga zgjedhjet e reja dhe Parlamenti i ri, ndërkaq ka paralajmëruar se do të ftojë liderët politikë për të diskutuar për çështjen e pandemisë dhe çështjen e dialogut”, thuhet në publikimin e tij.