Pallati i Drejtësisë

Vetëvendosje thotë se Kosova është renditur më së miri në rajon sa i përket sundimit të ligjit

Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se Kosova është renditur më së miri në rajon, sa i përket sundimit të ligjit. Këtë konstatim, subjekti që drejton ekzekutivin e vendit, e ka mbështetur në raportin e ‘World Justice Project’.

Përmes një shkrimi në ‘Facebook’, Lëvizja Vetëvendosje ka cituar këtë raport, duke thënë se Kosova në renditjen botërore është e 28-ta, në sundimin e ligjit dhe është e para në rajon.

“Në fusha si ajo e kufizimit të pushtetit qeverisës, mungesës së korrupsionit, për transparencë, respektimin e të drejtave të njeriut, rend e siguri, si dhe disa fusha të tjera, është e para në rajon”, thuhet në shkrimin e Vetëvendosjes.

Sipas partisë së kryeministrit, në regjionin e Evropës Lindore dhe të Azisë Qendrore, Kosova është renditur e dyta në këtë sferë.

“Kurse, në po të njëjtën fushë, sa i përket vendeve me të hyra të mesme të larta, Republika e Kosovës zë vendin e 14-të në botë”, thuhet në shkrimin e Vetëvendosjes.