Vetëvendosje thotë se Hoti në dialog barazoi çështjen e të pagjeturve me të zhvendosurit

Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se të enjten se qeveria dhe kryeministri Avdullah Hoti, me anë të marrëveshjes së 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë, mes Kosovës dhe Serbisë, kanë barazuar çështjen e të pagjeturve me çështjen e të zhvendosurve.

Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se me nënshkrimin e marrëveshjes, Hoti ka fshehur çështjen e të pagjeturve.

“Në pikën 11, të marrëveshjes thuhet se të dyja palët zotohen që të përshpejtojnë dhe të lokalizojnë dhe identifikojnë mbetjet e personave të humbur. Të dyja palët angazhohen që të identifikojnë dhe implimentojnë zgjidhjet afatgjata dhe të qëndrueshme për refugjatet dhe personat e zhvendosur brenda vendit.. Pra, përmes një paragrafit barazohen të pagjeturit dhe ata që janë zhvendosur nga vendi, për çka Kosova nuk mund të mbahet Kosova përgjegjëse”, tha ajo.

“Kryeministri Hoti, me anë të atij nënshkrimi ka fshehur atë që ka bërë Serbia në Kosovë. Aktualisht, Serbia nuk i ika kthyer 1200 persona, të pagjeturit mbetën plagë për familjarët e të pagjeturve”, deklaroi anëtarja e Lëvizjes Vetëvendosje.

Ajo tha se Kosova duhet ta ketë kusht çështjen e të pagjeturve në dialogun Kosovë-Serbi. Sipas Haxhiut, Serbia e ka obligim që t’i kthej të pagjeturit.

“Kresat për të pagjeturit janë kërkesa që duhet të jenë përballë Serbisë, Serbia duhet t’i kthej ata pa asnjë kusht, s’ka çka të negociohet me Serbinë për këtë. Ky kusht duhet të jetë i pakapërcyeshëm. Kjo çështje s’ka pasur pse të hapët, aq më tepër të barazohen të zhdukurit me të zhvendosurit”, deklaroi ajo.

Në anën tjetër, deputetja e LVV-së, Saranda Bogujevci, deklaroi se çështja e të pagjeturve nuk duhet të parë si temë që diskutohet me shtetin serb.

“Çështja e të pagjeturve nuk është temë që duhet të diskutohet me Serbinë. Shteti i Kosovës duhet të ketë kërkesa specifike ndaj Serbisë që të bashkëpunoj në zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Kosova, as në nivelin rajonal e as në atë ndërkombëtar, nuk trajtohet barabartë, sidomos në takimet rajonale që ka Kosova për të pagjeturit. Dokumentimi dhe dixhitalizimi i të dhënave është vendimtar, ende e kemi materiale që mbesin në nëpër institucione e që duhet të dixhitalizohen, kjo do ta ndihmonte organet shumë”, tha ajo.