Vetëvendosje: Sulmi ndaj aktivistit të PDK-së nuk u bë nga aktivistët tanë

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar për lajmin se një aktivist i kësaj partie ka sulmuar rëndë një aktivist të Partisë Demokratike të Kosovës.

Në reagim, Vetëvendosje ka përgënjeshtruar PDK-në, duke thënë se këto deklarata janë tendencioze dhe të pavërteta.

Sipas Vetëvendosjes, aktivistët e VV nuk janë të përfshirë në këtë rast, ndërsa kanë bërë thirrje te organet e rendit që të gjejnë kryesin e veprës dhe ta sjellin para drejtësisë.

“Sot nga mediat kuptuam rastin e sulmit ndaj një aktivisti të PDK-së në Ferizaj. Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra Ferizaj dënon sulmin në fjalë dhe kërkon që organet e rendit të gjejnë sulmuesit sa më parë. Ndërkohë, komunikatën e degës së PDK- së në Ferizaj pas më tepër se tre ditë prej që ka ndodhur rasti e cilësojmë si tendencioze dhe krejtësisht të pavërtetë. Aktivistët e Lëvizjes nuk janë të përfshirë në këtë rast andaj nuk ka pse hidhen shigjeta në drejtim të anëtarëve dhe aktivistëve të VETËVENDOSJE!s. Komunikata e PDK-së që me tendencë sulmon LVV-në nuk ka për qëllim që të gjejë kryesin e aktit por t’ia mvesh këtë akt Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Ne i bëjmë thirrje edhe një herë institucioneve përkatëse që përgjegjësit të sillen para drejtësisë dhe për ta të merret masa e nevojshme”, thuhet në komunikatë.

KALLXO.com raportoi më herët se dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Ferizaj ka akuzuar aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje në këtë qytet se kanë sulmuar veprimtarin e PDK-së, Jakup Sabedini, të shtunën.

Incidentin e ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Agim Gashi, i cili tha se është identifikuar një person dhe që ndaj tij është ngritur kallëzim penal.

“Po rasti është paraqitur në Polici dhe lidhur me këtë rast është identifikuar një person dhe ndaj tij është ngritur kallëzim penal dhe me urdhër te prokurorit i njëjti është liruar. Lënda procedohet në gjykate në procedurë të rregullt”, ka deklaruar Gashi.

Ndërkaq, dega e PDK-së në Ferizaj bashkangjitur me komunikatën kanë publikuar një fotografi të Jakup Sabedinit i cili shihet i gjakosur.

“Dhuna është e papranueshme kudo që ndodh e ndaj kujtdo që ndodh! Fatkeqësisht, të shtunën, aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje! në Ferizaj, sulmuan aktivistin e devotshëm politik të Partisë Demokratike të Kosovës në Ferizaj dhe humanistin shembull të qytetit tonë, Jakup Sabedini, me ç’rast ky i fundit ka pësuar lëndime të rënda trupore, ku ofrimi i shërbimeve urgjente mjekësore ishte i pashmangshëm. Rasti është raportuar menjëherë tek organet e sigurisë, porse deri më tani, nuk ka asnjë veprim që do ta ndriçonte rastin në plotni”, thuhet në njoftimin e PDK-së të Ferizajt.

KALLXO.com ka kërkuar qëndrim edhe ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, e që të njëjtit kanë paralajmëruar publikim të qëndrimit të tyre lidhur me këtë çështje përmes komunikate për media.