
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Vetëvendosje shpall zgjedhjet për kandidatët për deputetë për zgjedhjet e 9 shkurtit
Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje ka shpallur zgjedhjet e brendshme për kandidatët për deputetë për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.
Lajmi është bërë i ditur nga vet partia përmes një postimi në Facebook më 26.11.2024.
Bazuar në njoftimin e tyre, të gjithë anëtarët e LVV-së, të interesuar për të kandiduar në këto zgjedhje duhet të paraqesin deklaratën e kandidaturës me dokumentacionin shoqërues nga data 26.11.2024 deri me datë 30.11.2024.
“Në secilën Qendër të Lëvizjes VETËVENDOSJE! janë ngritur Komisionet Zgjedhore Ad-Hoc të Qendrave, ku anëtarët e interesuar mund të drejtohen për çdo informacion të mëtejshëm”- shkruan në njoftim.
Vetëvendosje, ndër të tjera ka shkruar se, “ky proces synon të çojë përpara kandidatet dhe kandidatët më të përgatitur për fitoren plebishitare”.
Në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, LVV-ja e udhëhequr nga Albin Kurti, fitoi 50.28 për qind të votave.
Ndërkaq, zgjedhjet e përgjithshme të radhës do të mbahen më 9 shkurt 2025.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror Zgjedhor, numri i votuesve të rinj që do të votojnë për herë të parë në këto zgjedhje është 209,878.