Adnan Rrustemi, KQZ

Vetëvendosje: Rezultatet përfundimtare mund të shpallen në fund të kësaj jave

Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 6 tetorit mund të shpallen në fund të kësaj jave.

Kështu ka thënë anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Adnan Rrustemi.

“Në QNR kanë përfunduar të gjitha procedurat. Rezultatet janë gati. Kanë mbetur të numërohen vetëm edhe fletëvotimet e ardhura nga mërgata, të cilat sot Gjykata Supreme urdhëroi numërimin e tyre. Fletëvotimet nga mërgata do të vlerësohen dhe numërohen brenda disa ditëve. Shpallja e rezultateve përfundimtare pa ndonjë pengesë mund të bëhet në fund të kësaj jave”, ka shkruar Rrustemi.

Gjatë ditës së sotme KALLXO.com raportoi se Gjykata Supreme e Kosovës kishte vendosur pro apelit të Lëvizjes Vetëvendosje në lidhje me numërimin e rreth 5 mijë votave të ardhura me postë nga jashtë Kosovës.

Njoftimin është bërë përmes “Facebook” nga partia e Albin Kurtit.

“Sot në ora 16:19 morëm vendimin nga Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës ku u konfirmua e drejta e bashkatdhetarëve tanë dhe më në fund u hap rruga për numërimin e pakove me vota të ardhura prej tyre. Presim që sa më parë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të mblidhet dhe të marrë vendimin për të vijuar me procedurat e verifikimit dhe numërimit të këtyrë fletëvotimeve”, thuhet në njoftimin e LVV-së.