Lëvizja Vetëvendosje

Vetëvendosje reagon për tërheqjen e letër-rreshtimit për Milan Radoiçiqin

Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë kërkesë që ta tërheq letër- rreshtimin ndaj njërit nga të dyshuarit lidhur me vrasjen e ish- politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq, Milan Radoiçiq.

Në lidhje me këtë ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje përmes një komunikate, duke e quajtur skandal dhe duke e konsideruar se përbën rrezik.

Sipas Vetëvendosjes, ky veprim i Prokurorisë Speciale mund të shihet me dyshim dhe si larje të borxheve të mëhershme apo kusht për aleancat e reja të nëntokës e parapolitikës.

“Prokuroria Speciale dhe Gjykata Themelore duhet t’i shpjegojnë publikut të Kosovës se pse nuk u dashka arrestuar më një kriminel. Po ashtu i bëjmë thirrje Këshillit Prokurorial dhe atij Gjyqësor të veprojnë. Rasti në fjalë është skaji i pasigurisë që mundet të shkaktojë për rendin publik ata që duhet ta mbrojnë atë”, thuhet në reagim.

Tutje, Vetëvendosje ka thënë se institucionet e drejtësisë duhet të përgjigjen, sipas tyre, se pse në vend se të ndjekin kriminelët, kanë hequr dorë nga përndjekja.

Në fund, Vetëvendosje ka përmendur vetingun në gjyqësi e prokurori.

“Andaj na duhet vetingu në gjyqësi e prokurori, na duhen profesionistë patriotë që i shërbejnë ligjit e vendit e jo burokratë në shërbim të krimit. As atij vendor e as atij rajonal”, thuhet në fund të reagimit.

Në gusht të vitit 2019 Ministria e Drejtësisë kishte lëshuar letër- rreshtim ndaj Milan Radoiçiqit.

Konfirmimin për letër- rreshtimin në vitin 2019 e kishte dhënë edhe ish- Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.

Milan Radoiçiq ka qenë në kërkim me anë të një letër- rreshtimi në lidhje me vrasjen e ish- politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq. Radoiçiq po dyshohet se ka marrë pjesë në organizimin dhe vrasjen e Ivanoviqit.

Sipas një aktakuze të ngritur  nga Prokuroria Speciale në Kosovë, Milan Radoiçiq dhe një serb tjetër i Kosovës, Zvonko Veselinoviq, ishin udhëheqësit e një grupi të organizuar kriminal përgjegjës për vdekjen e Oliver Ivanoviqit.

Në bazë të kërkesës së Prokurorisë Speciale për tërheqjen e letër-rreshtimit, Gjykata e ka aprovuar këtë kërkesë.

Në mënyrë misterioze Prokuroria Speciale tërheq letër-rreshtimin për Milan Radoiçiqin