Vetëvendosje reagon për mungesën e oksigjenit në Spitalet Regjionale

Lëvizja Vetëvendosje ka protestuar simbolikisht për mungesën e oksigjenit në Spitalet Regjionale në Kosovë.

Sipas VV, fshehtësia dhe papërgjegjësia e qeverisë, ministrit dhe SHSKUK e Agjencioneve përgjegjëse po i kushtojnë vendit me jetë të humbura.

Ndërsa kanë thënë se institucionet përgjegjëse duhet të ndërmarrin veprimet për të garantuar furnizim të rregullt e mbi të gjithë të pandërprerë me oksigjen medicinal dhe nga kompani që i përmbushin të gjithë kriteret.

“Spitaleve të mbingarkuara me pacientë me COVID-19, po u shtohet edhe mungesa e oksigjenit. Ditëve të fundit, sikurse muajve të fundit, janë raportuar raste të shumta të vështirësive deri në mbetje pa oksigjen medicinal të spitaleve rajonale. Fshehtësia dhe papërgjegjësia e qeverisë, ministrit dhe SHSKUK e Agjencioneve përgjegjëse po i kushtojnë vendit me jetë të humbura. Oksigjeni medicinal është element i domosdoshëm në përballje me COVID-19 për pacientët e shtrirë nëpër klinika. Gjendja është e rëndë dhe institucionet përgjegjëse duhet të ndërmarrin veprimet për të garantuar furnizim të rregullt e mbi të gjithë të pandërprerë me oksigjen medicinal dhe nga kompani që i përmbushin të gjithë kriteret duke i mbikëqyrur pa ndërprerë. Sot, disa nga deputetët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në përgjigje të kërkesave të panumërta të qytetarëve nga gati të gjitha komunat e Kosovës, si dhe deputetët nga komisioni për shëndetësi, kanë ndërmarrë një protestë simbolike para Ministrisë së Shëndetësisë për t’i kujtuar se qytetarët po përballen me rrezik të dyfishtë, kurse punonjësit shëndetësor me vështirësi në punën e tyre, nga mungesa e oksigjenit”, thuhet në reagim.

KALLXO.com ka raportuar për mungesën e oksigjenit në Spitalin e Gjilanit dhe atë të Gjakovës.

Numri total i rasteve pozitive është 41.299 raste nga 148.213 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.062 raste të vdekjes.

Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 543 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 26.453 raste, kurse numri i rasteve aktive është 13.784.