Vetëvendosje reagon për bllokimin e llogarive në Telekom

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas bllokimit të llogarive në Telekomin e Kosovës.

“Sot morëm njoftimin se llogaritë e Telekomit të Kosovës janë bllokuar ashtu që Dardafone net/Devolli të zhvasë një borxh fiktiv të sajuar nëpër procese të orkestruara. Pra 24. 6 milionë euro i pretendon pala që sot duhet të ishte e paditur dhe e gjykuar bashkë me nënshkruesit menaxherial e politikë për kontratë me elementë të krimit të organizuar”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, Telekomi i Kosovës ato pak të ardhura që i ka në këto momente i ka për pagat e punëtorëve dhe operimin shërbimeve bazike, që me shumë kujdes e kursim po i përdorë menaxhmenti i ri.

Tutje në reagim thuhet se çdo veprim që po bëhet mbi Telekomin është i orkestruar dhe i toleruar në bashkëpunim me drejtuesit politikë që gjenden në Qeverinë e Kosovës dhe partnerët e tyre politikë të klubit PLAN me të cilët po i kryejnë pazaret e të gjitha niveleve.
“Për t’u theksuar është zelli i gjyqtares në Gjykatën Themelore, që mes mijëra lëndëve që presin me vite, në kohë rekorde, në më pak se 2 javë ka nxjerrë një vendim me peshën e rrënimit të Telekomit e në favor të Dardafone.net e Devollëve. Padrejtësinë dhe turpin e Gjykatës Themelore nuk duhet ta tolerojë Gjykata e Apelit në të cilën tashmë është kontestuar ai vendim i padrejtë dhe që i shkakton dëme të mëdha Telekomit. Ky rast e dëshmon nevojën edhe më të madhe të procesit të vettingut në mënyrë që vendi ynë përfundimisht të ketë gjyqtarë të pavarur dhe të pakorruptuar që nuk i nënshtrohen politikës dhe nuk shkatërrojnë ekonominë”, thuhet në reagim.

Sipas VV-së, Telekomi i Kosovës është çështje e sigurisë shtetërore, e sigurisë së 2350 punëtorëve të Republikës së Kosovës dhe e gjithë sektorit të komunikimeve elektronike e shumë ndërmarrjeve tjera publike e private të lidhura me Telekomin.

“Kjo duhet të ndalet sa më parë dhe heshtja e Prokurorisë e Qeverisë është e patolerueshme. Grupi ynë parlamentar e shtroi këtë çështje ditën e hënën 13 korrik, para Kuvendit, si çështje urgjente, por deputetët e kapur pas pushtetit korruptiv nuk pranuan ta fusnin në rend të ditës.Edhe Kuvendi duhet sa më parë ta trajtojë këtë çështje dhe të marrë qendrim për ta ndalur këtë kanosje të rendit e sigurisë në vend”, thuhet në reagim.

Federata Sindikale e Telekomit të Kosovës ka paralajmëruar protesta në rast se llogaritë e bllokuara të Telekomit të Kosovës nga përmbaruesi nuk zhbllokohen deri në fund të javës.

Sot xhirollogaritë e Telekomit të Kosovës janë bllokuar si pasojë e përmbarimit të borxhit rreth 25 milionësh nga kompania Dardafone (Z Mobile) që kishte fituar gjykimin në Arbitrazh

Sipas Sindikatës, protestat janë të pashmangshme sepse janë mbi 3500 punëtorë që punojnë aty dhe rrjedhimisht me falimentimin e Telekomit këto familje do të mbeteshin pa të ardhura mujore.

“Nga e hëna ne do të protestojmë nëse nuk zhbllokohen llogaritë sepse 3500 familje mbesin pa bukë, ne do të kërkojmë edhe ndihmën e qytetarëve. Nuk do të respektojmë as virus as kurgjo. Ju them që të mos ndihen komod as Devolli e as Përmbaruesi sepse ne do të protestojmë të gjithë. Ne kërkojmë nga instuitucionet që të zhbllokojnë llogaritë ose ne do të protestojmë. Ne jemi të shqetësuar dhe kemi kontaktuar me menaxhmentin. Neve protestat na imponojnë fëmijët, familjet sepse kur të bëhet i pari e kur nuk do të kemi rrogë me cu në shtëpi atëherë është shumë ke”, u tha në konferencën e Sindikatës.

Ditë më parë, Gjykata Themelore Prishtinë ia ka njohur të drejtën kompanisë “Dardafone.net LLC” për përmbarimit (realizimin) e borxhit milionësh duke ia refuzuar prapësimin (kundërshtimin) e parashtruar nga Telekomi i Kosovës.

Gjykata vendos në favor të Z-Mobile, lejon përmbarimin milionësh ndaj Telekomit