Vetëvendosje: Qeveria e Shpend Ahmetit ka krijuar mundësinë për ndërtimet në Badovc

Lëvizja Vetëvendosje, Qendra në Prishtinë, ka mbajtur një konferencë për media, ku kanë folur për ndërtimet afër Liqenit të Badovcit.

Fitore Pacolli nga kjo parti tha se Komuna e Prishtinës i ka dhënë mundësinë kompanisë përmes kushteve ndërtimore, pastaj ta marrë edhe lejen për ndërtim.

“Komuna i ka dhënë mundësinë kompanisë që t’i plotësojë kushtet ndërtimore, por në momentin që kompania  i plotëson kushtet ndërtimore, që janë në kundërshtim të plotë me vendimet dhe ligjet në fuqi, atëherë komuna nuk do të ketë mundësi që t’ia refuzojë lejen e ndërtimit. Pra automatikisht, komuna e ka lejuar kompaninë që të fillojnë ndërtimet e sa”, tha Pacolli.

Pacolli gjithashtu deklaroi se Komuna me lëshimin e kushteve ndërtimore, ka vepruar në kundërshtim me një vendim të qeverisë së Kosovës të vitit 2013.

“Komuna e Prishtinës ka vepruar plotësisht në kundërshtim me vendimin e qeverisë së Kosovës, të datës 24 prill 2013, ku janë caktuar zonat e mbrojtura dhe masat mbrojtëse për Liqenin e Badovcit. Ne ia përkujtojmë komunës dhe ministrisë, se vendimi i qeverisë është marrë në përputhje të plotë me Ligjin për Mbrojtjen  e ujërave të Kosovës”, deklaroi Pacolli.

Ajo poashtu  tha se Komuna nuk është dashur të marr një vendim të tillë dhe se ‘është për tu brengosur se në këtë moment krize dhe në mungesë të të reshurave, ministria hesht dhe komuna lëshon kushte ndërtimore në kundërshtim të plotë me ligjet në fuqi’.