Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, Foto: @albinkurti/Twitter

Vetëvendosje pritet t’i bashkojë forcat me Listën Guxo dhe partinë e Mimoza Kusari-Lilës për zgjedhjet lokale

Kryetari i partisë Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se do t’i bashkojnë forcat me Listën Guxo dhe partinë e Mimoza Kusari-Lila për zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Ai ka thënë se tash kanë nisur përgatitjet nëpër qendrat e LVV-së në tërë Kosovën dhe deri të dielën pritet të përfundojnë edhe aplikimet për kryetar të komunave.

“Ne presim zgjedhje të lira e të ndershme. Ne në Lëvizjen Vetëvendosje ne po i bëjmë përgatitjet, me ç’rast ne duhet të kemi zgjedhje të brendshme nëpër qendrat tona, ajo çfarë di është se janë përcaktuar edhe afatet që është deri me datën 3 korrik, e që i bie pasnesër, janë për aplikimet për kandidat”, tha ai në RTK.

“Po, do të bashkëpunojmë me “Listën Guxo”, do të bashkëpunojmë me Alternativen për Kosovën që udhëhiqet nga kryetarja e grupit tonë parlamentar, Mimoza Kusari-Lila, por do të bashkëpunojmë edhe me subjekte e organizata tjera, kudo që mundemi, duke u bazuar në programe”, u shpreh Albin Kurti.