Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vetëvendosje për datën e zgjedhjeve: Konsultimet do të vazhdojnë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Adnan Rrustemi tha se konsultimet për caktimin e datës së zgjedhjeve parlamentare në Kosovë do të vazhdojnë.

Rrustemi në një konferencë për media bashkë me shefen e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila tha se në konsultimet e radhës që do të mbahen nga presidentja në lidhje me datën e zgjedhjeve, LVV do të bëjë të ditur qëndrimin e saj.

“Kryeministri kishte një takim të paracaktuar në datën e njëjtë, andaj nuk mori pjesë. Konsultimet do të vazhdojnë. Është me rëndësi që të merren të gjitha specifikat që garanton pjesëmarrjen e të gjithë qytetarëve dhe mundësi partive për të paraqitur platformat e tyre besoj se në konsultimet që do të vazhdojnë do të jepet edhe qëndrimi i LVV-së” – tha Rrustemi.

I pyetur për deklaratat e presidentes Osmani në lidhjet me ‘dallimet’ me ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvallën, Rrustemi tha se nuk beson që ka dallime substanciale në mes tyre.

“Nuk besoj që ka dallime substancial  në politikën e jashtme, nuk besoj që ka dallime, nuk do të duhej të kishte”- tha ai.

Ndërkaq,  Mimoza Kusari Lila shefe e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje tha se gjatë sesionit pranveror Kuvendi i Kosovës ka miratuar gjithsej 36 ligje ndërsa komisionet parlamentare kanë trajtuar 866 pika në 186 mbledhje.

Më 31.07.2024 Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka mbajtur takim me krerët e partive politike për caktimin e datës së zgjedhjeve. Në këtë takim nuk kishte marrë pjesë, kryeministri njëherësh kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Presidentja Osmani nuk e ka quajtur “bojkot” mospjesëmarrjen e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje në këtë rast, megjithëse tha se i kanë ftuar të gjitha partitë në nivel të kryetarëve.

“Sot nuk ka qenë prezent kryetari i LVV-së, ne nuk i dimë arsyet besoj mund ta pyesni atë drejtpërdrejt, po supozoj që është në zyrë” – ka thënë presidentja Osmani, më 31.07.2024.

Datat e përmendura dhe të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë nga Osmani janë 26.01.2025, 02.02.2025, 09.02.2025 dhe 16.02.2025, është bërë e ditur gjatë konferencës së presidentes.

“Sipas Ligjit janë katër data; 26 janari, 2 shkurti, 9 shkurti dhe 16 shkurti dhe konsultimi ishte në kontekst të këtyre datave. Disa parti preferuan 25 janarin, disa tjera 2 shkurtin, dhe të tjera që nuk kishin preferencë. Meqenëse shumica nuk kishin kërkesa për konsultime shtesë u pajtuam që pasi të bëjmë analizën e të gjitha datave të caktohet dita e zgjedhjeve. Ky vendim ende nuk është marrë”- kishte thënë Osmani më 31.07.2024.