Vetëvendosje paralajmëron padi ndaj akuzave të Thaçit

Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar se do t’i drejtohen organeve të drejtësisë, lidhur me tre deklarime të presidentit Thaçi të cilat i bëri përmes një konference për media sot.

Thaçi u deklarua se ka pasur vendime selektive për karantinim, rrezik ndaj aterimit të deputetit Pacolli dhe për vdekjen e 26-vjeçarit nga Gjilani në Qendrën e Studentëve, i cili fajesoi Albin Kurtin dhe ministrat Arben Vitinë e Xhelal Sveçla të cilëve vazhdimisht iu referohej si “grupi i Kurtit“.

LVV përmes një komunikate për deklaratat e Thaçit, konsiderojnë se fyejnë rëndë integritetin e tyre politik, njerëzor dhe nxit përçarje e mosdurim.

“Të tre këto deklarime që Presidenti tha janë larg të vërtetës ngase as nuk ka pasur vendime selektive mbi baza politike në Qendrën e Studentëve për karantim, as nuk ka pasur sinjale nga organet kompetente për rrezik ndaj deputetit Pacolli dhe nuk ka asnjë dëshmi të bazuar që dikush të marrë guximin të thotë që kemi të bëjmë me  ‘shtyrje në vetëvrasje’. Përpjekja e Presidentit për të manipuluar politikisht vdekjen tragjike të një të riut tonë, pa i pritur as rezultatet e hetimeve zyrtare, është e patolerueshme në një shoqëri të civilizuar. I ndjeri dhe familja e tij nuk meritojnë një trajtim të tillë nga askush, lëre më nga një zyrtar i lartë shtetëror që, sipas Kushtetutës, do të duhej të përfaqësonte unitetin e popullit”, vijon njoftimi.

“Akuza të tilla janë të rënda, dhe për to duhet marrë përgjegjësi. Është tej mase e trishtueshme të shihet se si Presidenti mundohet të përdorë dhimbjen dhe fatkeqësinë e dikujt tjetër, për të hedhur baltë mbi institucionet e vendit”, thuhet në komunikatën e LVV-së.

“Presidenti, është duke mbuluar me turp postin që e mban, duke zvetënuar integritetin moral e shtetëror të figurës së Presidentit duke u kthyer në një zëdhënës të insinuatave të fabrikuara nga vet ai dhe rrjeti i ndikimit të tij ilegal. Ndjehet e dëshmohet se qytetarët në shumicë janë të distancuar nga një frymë e tillë përçarëse dhe jorrallë edhe në mungesë të humanitetit”, përfundon njoftimi i Lëvizjes Vetëvendosje.