Fillimi i renovimit të stadiumit të qytetit në Gjilan. Foto: Komuna e Gjilanit

Vetëvendosje ngrit dyshime, stadiumi i Gjilanit nuk mund të pranohet nga UEFA, bën fajtor Lutfi Haziri

Kandidati për kryetar të Komunës së Gjilanit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Alban Hyseni ka pretenduar se stadiumi në Gjilan nuk mund të pranohet nga UEFA, sepse sipas tij, nuk i plotëson rregullat.

“Komuna e Gjilanit ka lëshuar leje ndërtimi në perimetër më të afërt se sa lejohet nga rregullat e UEFAS-së e FIFA-së, për ndërtimin e objekteve të larta. Rrjedhimisht, ky objekt do të jetë e vështirë të pranohet në arenën ndërkombtare..Me qeverisjen tonë stadiumi do të përfundojë brenda mandatit të parë”, ka thënë Hyseni.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Gjilanit diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në KallxoPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Gjilanit: Alban Hyseni nga LVV; Gani Neziri – kandidat i pavarur; Leonora Morina Bunjaku nga PDK; Lulzim Bexheti – kandidat i pavarur; Lutfi Haziri nga LDK dhe Nazim Gagica nga AAK.

Po ashtu, pjesë e debatit janë edhe shtatë kandidate për asambliste në Kuvendin Komunal të Gjilanit: Albulena Sylejmani nga PD; Arjeta Kastrati nga Vatra; Diana Toska nga LDK; Kaltrina Fazliu nga AKR; Krenare Latifi Kqiku nga LVV dhe Zarife Asllani nga AAK.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.