Foto: LVV/Facebook

Vetëvendosje ngre padi ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për tarifat nxitëse

Lëvizja Vetëvendosje gjatë ditës së sotme ka ngritur padi ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për tarifat nxitëse.

Sipas njoftimit, anëtari i Kryesisë Sami Kurteshi dhe aktivisti Getoar Mjeku, në cilësinë e përfaqësuesit ligjor, dorëzuan në Gjykatën themelore padi ndaj vendimit të ZRrE-së për shtimin e kapaciteteve me tarifa nxitëse për sistemet solare fotovoltaike, me ç’rast kanë kërkuar pezullimin e këtij vendimi deri sa kjo çështje të shqyrtohet nga Gjykata.

Sipas LVV-së, vendimi i marrë më 27 nëntor nga Bordi i ZRRE-së, për një skemë të re mbështetëse me tarifa nxitëse, duke u garantuar disa prodhuesve të para­caktuar të energjisë së ripër­të­rishme blerjen e energjisë me çmim shumë më të lartë se vlera e tregut, nuk ka bazë ligjore dhe përbën shkelje të rëndë të ligjeve në fuqi, cenon shtetin e së drejtës dhe përligj haraçin që qytetarët janë shtrënguar t’ua paguajnë monopolistëve oligarkikë.

Më poshtë mund të lexoni njoftimin e plotë të LVV-së:

Lëvizja VETËVENDOSJE!, Komiteti për Energjitikë, Grupi parlamentar, kanë reaguar e sqaruar disa herë lidhur me dëmet që janë duke u bërë interesit publik nga këto skema.

Kujt po i jipen favore dhe liçenca për burimet e ripërtëritshme të energjisë? https://www.vetevendosje.org/kujt-po-i-jipen-favore-dhe-li…/

Më 27 nëntor 2019, teksa në Kosovë ishte shpallur ditë zie për viktimat e tërmetit në rajonin e Durrësit, Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë pasi që e shtoi në mënyrë të paparalajmëruar, gati klandestine, si pikë të rendit të ditës, mori vendim për një skemë të re mbështetëse me tarifa nxitëse, duke u garantuar disa prodhuesve të para­caktuar të energjisë së ripër­të­rishme blerjen e energjisë me çmim shumë më të lartë se vlera e tregut. Ky vendim nuk përmban arsyetim.

Të njëjtin vendim e pati marrë edhe në 2016 me një çmim edhe më të lartë se tash, 136.4 euro për MWh që u paguhet për 10 vite dhe mbi 50% të tyre një grupi financiar, Devollit. Por nuk u mjaftoi kjo, e përsëritën duke e zgjeruar në 20 MË dhe me tarifën nxitëse 85.5 euro për MWh, për 12 vite, tash mbi 60% të njëjtit grup financiar.

Këto skema të tarifave nxitëse i kanë tre detyrime për shtetin dhe qytetarët, energjinë elektrike të prodhuar duhet t’u blihet 100%, kohëzgjatja 12 vjeçare e këtyre pagesave, me çmimin prej 85.5 euro për MWh. Energjia elektrike e prodhuar nga KEK kushton rreth 28 euro për MWh, dhe mesatarja e çmimit të energjisë në Kosovë shkon rreth 36 euro për MWh përfshirë importin dhe të gjithë burimet e ripërtëritshme. Kjo shtesë që buron nga këto skema nxitëse për­fun­dimisht paguhet nga faturat e energjisë elektrikë të kon­suma­to­rëve. Pra nga të gjithë ne.

Kosova e ka shlyer detyrimin për kuotën e 25% për të gjitha burimet e ripërtëritshme, të vendosur nga Traktati për Energjinë më 2006. Nuk ka aktualisht asnjë ligj që e lejon cilëndo institucion të vjelë nga faturat e qytetarëve para të tjera për t’ia dhënë cilësdo kompanie private, pavarësisht a është për panele fotovoltaike, e me erë apo minihidrocentrale.

Kushtetuta mbron barazinë para ligjit, pronën, konku­rre­ncën dhe kon­su­matorin.

Marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara de­ty­rojnë Ko­so­vën të zba­tojnë legjislacionin e BE-së për energjinë, kon­kurrencën dhe ndihmën shte­të­rore. Normat e BE-së parashohin që përfituesit e ndih­mës për ener­gjinë të për­zgjedhen me metoda të tregut të lirë (an­kand ose ofer­time kon­ku­rrue­se) dhe që ndihma të më­nja­nohet nga viti 2020.

Vendimi i marrë nga ZRRE me 27 nëntor duke caktuar tarifa nxitëse nuk ka bazë ligjore dhe përbën shkelje të rëndë të ligjeve në fuqi, cenon shtetin e së drejtës dhe përligj haraçin që qytetarët janë shtrënguar t’ua paguajnë monopolistëve oligarkik.