Vetëvendosje: Nesër nuk organizojmë protestë, por nuk i dekurajojmë qytetarët të protestojnë

Lëvizja Vetëvendosje sot ka mbajtur mbledhjen e përbashkët të Kryesisë dhe Grupit Parlamentar, një ditë para seancës për votimin e Qeverisë Hoti.

Përmes një komunikate, Vetëvendosje ka thënë se nesër nuk do të organizojnë protestë por se nuk i dekurajojnë qytetarët të protestojnë.

“Protestat po bëhen të pashmangshme. Megjithatë, LVV nuk do të organizojë protestë nesër. Për neve qeveria nuk është qëllim, por mjet për shtetin dhe shërbim për qytetarin. Natyrisht, nuk duam të dekurajojmë protesta të tjera të paralajmëruara nga grupe të ndryshme të qytetarëve”, thuhet në komunikatë.

Në mbledhjen e Kryesisë dhe të Grupit Parlamentar, Vetëvendosje thotë se u kritikua ashpër aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, që sipas tyre, e vulosi këtë Gjykatë si të kapur.

“U kundërshtua tentimi për qeveri të re pa zgjedhje të reja nga regjimi i vjetër. Kjo qeveri do të ishte qeveri e presidentit. Ajo nuk do të ngërthente as 1/3 e mbështetjes qytetare elektorale dhe do të varej komplet nga Lista Serbe. Asisoj, negociatat brenda-qeveritare të saj do të bëheshin negociata ndër-shtetërore me Serbinë’, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.

Kryesia e Kuvendit ka caktuar kohën për mbajtjen e seancës së Kuvendit të Kosovës për votimin e Qeverisë së re.

Sipas kërkesës së deputetëve nesër mbahet seanca në ora 11:00.

Caktohet koha e seancës për votimin e qeverisë Hoti