Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vetëvendosje në Vushtrri: Nuk do të mbështesim asnjërën nga partitë në balotazh

Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Vushtrri ka konfirmuar se nuk do të mbështet asnjërin nga kandidatët për kryetar komune në garën për balotazh dhe se do të jetë në opozitë për mandatin e ardhshëm.

LVV doli e treta në garën për kryetar të Komunës së Vushtrrisë në rundin e parë të zgjedhjeve lokale.

Përmes një komunikate kjo parti ka thënë se dy partitë në balotazh, PDK dhe LDK  nuk meritojnë  mbështetjen e LVV-së dhe se të njëjtat nuk do të mund t’i ofrojnë ndryshim vushtrriasve.

“Ne vlerësojmë që qytetarëve të Vushtrrisë nuk iu ka mbetur mundësi e mirë për të zgjedhur. Dy subjektet e mbetura në garë nuk përbëjnë ndryshim, ato kanë mendësi të njëjtë qeverisje me akterë të korruptuar dhe pavarësisht ishin pozitë apo opozitë proceset e dëmshme për Vushtrrinë i kanë bërë bashkërisht, andaj nuk meritojnë përkrahjen e anëtarëve e mbështetësve të Lëvizjes VETËVENDOSJE”, thuhet në njoftim.

Vetëvendosja e cila në 2017 në Vushtrri  lidhi koalicion me LDK-në dhe bashkë qeverisën deri në fillim të këtij viti, e ka cilësuar si përvojë përmes së cilës nuk mundi të realizoj programin qeverisës.

“Përvoja na mësoj që mbështetja për një kandidat tjetër nuk garanton as minimumin e mundësisë që realizimi programor në të mirë të qytetarëve respektohet, përkundrazi bëhen pengesa e obstruksione vetëm e vetëm që dallimi në rezultate të punës të mos i linte të padukshme resoret që udhëhiqte i mbështeturi! Ato resore pastaj u bënë të famshme për keqpërdorime ndërsa ndershmëria e Lëvizjes VETËVENDOSJE! me resoret që udhëhiqte u bë e padurueshme dhe pengesë e korrupsionit deri në largim nga koalicioni”, vazhdon komunikata.

Rundi i parë i zgjedhjeve lokale në Kosovë, çojë në balotazh kryetarin aktual të Vushtrrisë dhe kandidatin e LDK-së për kryetar, Xhafer Tahirin dhe atë të PDK-së, Ferit Idrizi.

PDK në Vushtrri deri tani ka njoftuar se ka arritur marrëveshje bashkëpunimi me AAK-në, Nismën, KDTP-në dhe Partinë e Drejtësisë.

Balotazhi në Vushtrri i lë partitë politike në udhëkryq