Vetëvendosje në Pejë kundërshton shndërrimin e objekteve komunale në hotele

Lëvizja Vetëvendosje në Pejë po kundërshton atë që ajo po e cilëson shndërrimin e dy objekteve komunale në hotele.

“Plani që dy objekte komunale të jepen në shfrytëzim dhe të shndërrohen në hotele tregon aftësine e kryetarit Muhaxheri për keqpërdorim të pronës publike”, shkruan në reagimin e Vetëvendosjes.

Tutje ata kanë thënë se dhënia e objekteve në shfrytëzim nuk kontribon në zhvillimin e turizmit të qytetit të Pejës dhe as nuk kontribon në ngritjen e shërbimeve ndaj qytetarëve por është keqpërdorim i pronës publike.

“Arsyetimi që administrata komunale është e shpërndarë dhe që parashihet të ndërtohet objekt i ri është arsyetim irracional që tregon vetëm planet e kësaj kaste të paditurish për krijmin e një barrë të re për buxhetin e Komunës së Pejës” ka reaguar Vetëvendosja.

Këtë plan ata e kanë quajtur manovër të kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri dhe se ai në fund të mandatit  po vepron në interes të grupeve të caktuara për përfitime personale.

“Kryetari Muhaxheri, i vetëdijshëm që qeverisja e tij po përfundon, po vepron në interes të grupeve të caktuara që për qëllim kanë vetëm përfitimet personale”, shkruan në reagim.

KALLXO.com është munduar të kontaktojë kryetarin Gazmend Muhaxheri në lidhje me këtë çështje, por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm deri në publikimin e këtij artikulli.