Vetëvendosje në Pejë kritikon kryetarin Muhaxheri për gjendjen me mbeturina  

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Pejë përmes një konference për media të mbajtur sot, ka drejtuar akuza për kryetarin Gazmend Muhaxheri, siç kanë thënë për keqmenaxhim të mbeturinave në këtë qytet.

Orgen Kelmendi, anëtar i Lëvizjes, tha se kjo gjendje me mbeturina në Pejë nuk është e tillë vetëm ditëve të fundit, por po vazhdon gjatë tërë mandatit të Muhaxherit.

Kelmendi tha se sipas draft-raporteve të viteve të fundit mbi menaxhimin e mbeturinave komunale në Kosovë, të përpiluar nga Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë, del se qytetari i Pejës prodhon 1.05 kg mbeturina në ditë, që i bie më së shumti për dallim me banorët e qyteteve tjera.

Ndërsa shtoi se në qytetin e Pejës janë vetëm 100 kontejnerë, dhe se në krahasim me volumin e mbeturinave në qytet, ky numër i pikave grumbulluese është jashtëzakonisht i vogël për çka edhe rezulton gjendja e madhe e papastërtisë.

Sipas Kelmendit, kryetari Muhaxheri po tenton që ta fshehë fajtorin e vërtetë për keqmenaxhimin e mbeturinave duke e hedhur fajin te qytetarët.

“Kryetari Muhaxheri po kritikon qytetarët për shkallën e vetëdijes dhe mos-hedhjen e mbeturinave në vendet e dedikuara, por ai duhet që t’u siguroj qytetarëve vende ku ata të mund t’i hedhin mbeturinat” tha ai.

Lëvizja kërkoi nga kryetari që të merren masa urgjentisht sepse në të kundërtën qyteti i Pejës do të përballet me një kaos të vërtetë pasur parasysh edhe faktin që tashmë shpejtë vijnë edhe mërgimtarët.

“Si Lëvizje, kërkojmë nga kryetari që të mos e luaj rolin e opozitës karshi qytetarëve dhe kërkojmë nga ndërmarrja Ambienti që të marrë masa të menjëhershme për përmirësimin e gjendjes aktuale”, shtoi Kelmendi.