Vetëvendosje me mocion për shkarkimin e Bordit të RTK-së
Gjatë ditës së sotme, Grupi Parlamentar i Lëvizje Vetëvendosje ka dorëzuar kërkesën për mocion përmbajtësor në lidhje me gjendjen në RTK dhe shkarkimin e Bordit të drejtorëve të RTK-së.
Sipas VV-së, zgjedhja e kundërligjshme e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, nuk është sjellja e vetme joprofesionale e Bordit të RTK-së.
“Detyrë parësore e Bordit është të sigurojë mbarëvajtjen e RTK-së me përmbushjen e misionit të saj dhe me qendrueshmëri operative e financiare. Bordi i drejtorëve gjithashtu përzgjedh drejtorin e përgjithshëm, i cili menaxhon veprimtarinë e RTK-së. Zgjedhja e kundërligjshme e Drejtorit të Përgjithshëm nuk është shkelja e vetme dhe sjellja e vetme joprofesionale e Bordit të RTK-së”, thuhet në reagimin e VV-së.
Sipas VV-së, që nga emërimi, Bordi i tashëm ka dështuar rëndë të përmbush detyrat e veta dhe ka shkelur qartë dispozitat kyçe të Ligjit për RTK-në.
Shkarkimi i Bordit të RTK-së është kërkuar edhe nga Sindikata e Pavarur e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), të cilët kanë kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që të shkarkohet Bordi i RTK-së, si dhe të formohet një Komision Hetues Parlamentar.