Foto: KALLXO.com/Urim Krasniqi. 10/09/2020

Vetëvendosje: Marrëveshja e Uashingtonit sjell shume dëme për ekonominë e Kosovës

Lëvizja Vetëvendosje në një konferencë për media sërish ka kritikuar delegacionin përkatësisht qeverinë e Kosovës për nënshkrimin e marrëveshjes së Uashingtonit më 4 shtator.

Ish-ministri i Financave, njëherësh nënkryetar i LVV-së Besnik Bislimi tha se Hoti shkoi në Uashington për njohje nga Serbia, por nuk e ka bërë një gjë të tillë.

“Delegacioni kosovar në Uashington ishte i bujshëm në numër por i ngathët. Kryeministri ilegjitim i mashtronte se po shkonte të negocionte vetëm për njohje. Nuk solli as normalizim e as njohje. Përfundoi duke nënshkruar secilin dokument që iu shfaq”, tha Bislimi.

Sipas tij, kryeministri ‘ia lshoi terrenin Vuçiqit për të marrë shumëçka’.

“Serbia njëanshëm ka gëzuar qasje të lirë në tregun e Kosovës dhe ka mundësuar importin dhe kalimin transit nëpër shtetet e BE-se duke aplikuar një laramani të barrierave tarifore. Serbia po pengon bizneset e Kosovës. Problemi Kosovë – Serbi nuk ka qenë i ndikuar nga mungesa e bashkëpunimit ekonomik dy palësh”, ka shtuar më tej ish-ministri.

Bislimi shtoi se marrëveshja në fjalë Kosovës i ka sjellë shumë dëme në ekonomi, e shumë përfitime për palën serbe.

Ndërkaq, deputeti nga radhët e kësaj partie Hekuran Murati theksoi se marrëveshja Kosovë-Serbi nuk është në favorin e Kosovës.

“Në Kuvend Hoti ka raportuar se do ta respektojë vetëm Kushtetutën dhe asgjë tjetër. Thanë se nëse nuk ju pëlqen marrëveshja nuk do ta nënshkruajnë. Thanë se marrëveshjen do ta respektojnë nëse ka konsensus të plotë. Por këto ishin gënjeshtra, këto vendime i shkelën.  Kjo na sjell në situatë që nënshkruhet zotimi qe Kosova do të behët pjesë e zonës Mini schengen. Kjo marrëveshje për zonën në Ballkan është nënshkruar në Novi Sad dhe terminologjia e duhur do të ishte për Novi Sad”, ka thënë Murati.

Të pyetur nga KALLXO.com se çfarë hapash do të ndërmarrë LVV për marrëveshjen e Uashigtonit, nëse do të presin Kryeministrin Avdullah Hoti të raportojë në Kuvend apo të organizojnë tubime, nënkryetari Bislimi tha se do të presin paraqitjen e kryeministrit në Kuvend, lidhur me marrëveshjen dhe do të vendosin për veprimet e mëtejme.

Të premten Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve ekonomike.

Ndërsa, Kryeministri Hoti të shtunën kishte bërë të ditur do t’i informojë deputetët e Kuvendit të Kosovës të cilëve edhe do të ua dorëzojë zyrtarisht marrëveshjen  e nënshkruar në ShbA.