Foto: Atdhe Mulla

Vetëvendosje komenton vendimin e ri të PZAP-së

Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se janë duke e diskutuar vendimin e sotëm të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe së shpejti do të vendosin nëse edhe njëherë do të bëjnë ankesë në adresë të Gjykatës Supreme të Kosovës.

Kështu ka thënë anëtarja e kryesisë së Lëvizjes vetëvendosje, Albulena Haxhiu për KALLXO.com.

“Të drejtën e kemi, jemi duke e diskutuar për këtë dhe shumë shpejt do të vendosim”, tha ajo.

E pyetur se a do të bëjnë ankesë përsëri në Supreme, ajo e paralajmëroi një gjë të tillë.

“Po, po, si jo”, tha shkurt ajo.

Ndaj vendimit të PZAP-së, i cili nuk miratoi ankesën e LVV-së për numërimin e votave të ardhura nga Diaspora ka reaguar edhe anëtari tjetër i Vetëvendosjes, Yll Rugova.

Ai nëpërmjet një statusi në “Facebook” tha se PZAP ka treguar jo profesionalizëm.

“PZAP e paska refuzu vendimin e Gjykatës Supreme për numërim të votave nga diaspora. Tash Gjykata Supreme mbetet me sjellë vendim të prerë për KQZ-në për numërimin.Përndryshe PZAP ka treguar joprofesionalizëm të madh sot. E megjithatë numërimi i votave të diasporës mundet me pase veç vonim, se pshtim s’ka. Diaspora ”, shkroi Rugova.

Ndryshe, sot PZAP mori vendim kundër ankesës së LVV-së për numërimin e rreth 5 mijë votave të ardhura nga diaspora me vonesë

Sipas njoftimit të këtij organi, partia e Albin Kurtit ka të drejtë të ankohet në Gjykatën Supreme brenda afateve ligjore.

Supremja kërkon të numërohen votat e Diasporës

 

www.kallxo.com