Vetëvendosje: Kolapsi shëndetësor erdhi për shkak të hapjes totale
Lëvizja Vetëvendosje e ka kritikuar mënyrën sesi është menaxhuar pandemia me COVID-19 nga qeveria aktuale e udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti.
Deputetja e LVV-së, Fitore Pacolli në një konference për media ka thënë që masat e marra nga qeveria Hoti kanë krijuar një kolaps total shëndetësor e shoqëror.
“Tani kur shtetet në botë po punojnë drejt hapjes graduale dhe adaptimit të kushteve të pandemisë, Qeveria e Kosovës, e gjetur para një kolapsi shëndetësor e shoqëror e cila erdhi si pasojë e hapjes totale e në shpërputhje të plotë me planin e hapjes graduale në përputhje me rekomandimet e ekspertëve shëndetësor që kishte filluar Qeveria Kurti. Hapja totale pa krijimin e kushteve dhe adaptimin me normalitetin e ri që kemi sot ndikoi në shtimin e shumëfisht të të infektuarve dhe viktimave”, tha ajo.
Sipas saj ‘mungesa e një qeverie të përgjegjshme’, e cila nuk heziton të marrë mbi supet e saj menaxhimin e situatës pa drejtuar gishtin për të gjetur fajtorët e hedhur përgjegjësinë mbi të tjerët, ka përkeqësuar situatën ka rritur pasigurinë dhe po dëmton solidaritetin shoqëror.
Pacolli ka kritikuar edhe vendimin për mbylljen e çerdheve duke thënë që hapja e shkollave dhe çerdheve është e domosdoshme.
“Duhet përkrahje dhe siguri për prindërit të cilët janë ndikuar nga mbyllja e cerdheve dhe shkollave. Hapja e çerdheve në përputhje me masat mbrojtëse është e domosdoshme. Përderisa, nuk ofrohet mbështetje financiare për njërin prind dhe nuk sigurohet kthimi në punë pas pushimit të detyrueshëm për tu përkujdesur për fëmijët shteti duhet të lejojë, mundësojë e ndihmojë hapjen e të gjitha çerdheve dhe qendrave për qëndrim ditor. Po ashtu, duhet kreativitet dhe investime për hapje të çerdhet të reja për të krijuar hapësira edukimi për fëmijë dhe punësim të grave dhe të rinjëve”, tha ajo.
Deputetja e LVV-së theksoi rëndësinë e një plani të detajuar për kthimin në shkollë të nxënësve në shtator.
“Një Qeveri e përgjegjshme do të duhej të prezantojë një plan të detajuar se çka do të ndodhë me shkollat në shtator. Do duhej një riorganizim i shpejtë dhe adaptim i shkollave ekzistuse për të rifilluar punën me kushtet e reja. Aty ku nuk ka fare mundësi rifillimi i mësimit në shkolla do të duhej të sigurohen që asnjë fëmijë nuk mbetet jashtë sistemit të mësimit online si dhe do të duhej të mendohet për mbështetje të prindërve të cilët do të detyrohen të bëjnë edhe punën e edukatoreve”, tha ajo.
Tutje ajo tha që qeveria aktuale duhet që sa më shpejtë të pajisë me maska mbrojtëse të gjithë qytetarët në Kosovë.
“Një Qeveri e përgjegjshme do të dilte sa më parë me plan konkret për të pajisur me maska mbrojtëse të gjithë qytetarët. Sot ka shumë shembuj ku shtetet kanë ofruar maska falas për qytetarët. Psh. në Spanjë e sidomos në Madrid shpërndarja është bërë përmes barnatoreve”, tha ajo.
E deputeti i LVV-së, Artan Abrashi ka thënë që situata me menaxhimin e pandemisë është jashtë kontrollit.
“Situata pandemike tashmë është jashtë kontrollit dhe se kemi të bëjmë me një kaos për të cilin kjo qeveri nuk e ka as haber sesi të ja dal në krye, sidomos masat të cilat marren janë të pamenduara mirë, të paplanifikuara, numrat e të infektuarve janë alarmant, edhe numrat e të vdekurve po rriten, ndërsa e vetmja masë është publikimi i një manuali për të cilin as vet ministri i shëndetësisë mund të mos ta ketë lexuar”, tha ai.
Abrashi tha se ‘ndërprerja e ndihmës financiare prej 170 euro është duke e thelluar krizën sociale dhe ekonomike të qytetarëve, ndërkohë që shpenzimet e luksit nuk janë kufizuar’.
Ndërsa i pyetur nëse tubimi i Lëvizjes Vetëvendosje ka ndikuar në shtimin e rasteve më COVID-19, Abrashi ka thënë që organizimi ka qenë në përputhje me rekomandimet e institucioneve.
LVV konsideron që të gjitha organizimet e saja edhe në kohën e pandemisë kanë qenë në përshtatje me rregullat çfarë i rekomandojnë institucionet. Deri më tash ne nuk kemi asnjë rast të konfirmuar me COVID-19, të gjitha organizimet do të bëhen në përputhje me rregullat dhe rekomandimet”, tha ai.