Vetëvendosje kërkon raportimin e Hotit në Kuvend për marrëveshjen në ShBA

Lëvizja Vetëvendosje(LVV) ka njoftuar se sot, nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci ka kërkuar thirrjen në raportim të Kryeministrit Avdullah Hotit për marrëveshjen e arritur të premten në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

“Më 4 shtator, Kryeministri i Republikës së Kosovës dhe delegacioni që shoqëronte atë bëri zotime për koncesione ndaj Serbisë për çështje dhe tema që prekin drejtpërdrejt sovranitetin shtetëror dhe bien në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës. Këto zotime si vullnet personal, i konfirmoi me nënshkrimin e tij në fund”, thuhet në njoftimin e LVV-së.

Sipas tyre, Hoti në Shtëpinë e Bardhë ka nënshkruar një marrëveshje e cila bie në kundërshtim me deklarimet e tij të mëhershme.

“Përkundër deklarimeve të vazhdueshme në Kuvend e jashtë tij të vetë z. Hoti, se platformë e dialogut me Serbinë është vetëm Kushtetuta e Republikës së Kosovës, andaj dhe nuk kemi nevojë për platformë tjetër, kurse mini-shengenin e konsideronte të dëmshëm për Kosovën dhe që i shërben vetëm Serbisë, ajo çfarë pamë më 4 shtator, ishin zotime e koncesione krejtësisht të kundërta me deklarimet e mëparshme e në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës e dëm të interesave të Kosovës”, thuhet në reagim.

Sipas tyre, marrëveshja e 4 shtatorit e forcon edhe më shumë pozicionin e Serbisë në Kosovë.

“Ajo çfarë u quajt normalizim ekonomik, më shumë është normalizim i Serbisë brenda Kosovës. Nga përfshirja e  Serbisë  në shfrytëzimin e përbashkët të resurseve shtetërore të Kosovës, devijimi i linjës hekurudhore nga veriu i Mitrovicës në drejtim të Merdares sipas kërkesës së Serbisë, njohja e të drejtave të Serbisë mbi liqenin e Ujmanit e nxitja e ndërhyrjes në sovranitetin energjetik të Kosovës, prodhimin, tregun dhe sigurinë”, thuhet tutje në postim.

LVV po ashtu ka kundërshtuar edhe mini-Shëngenin si dhe heqjen dorë nga anëtarësimi në organizata ndërkombëtare.

“Ndërsa, mini-shengeni mundëson hegjemonin ekonomike e tregtare të Serbisë si një ide dhe synim i saj, në një kohë që as nuk e njeh shtetin e Kosovës, e deri tek zotimi antikushtetues për heqjen dorë nga anëtarësimi në organizata ndërkombëtare që në fakt është heqje dorë nga shtetësia dhe nga kërkesa për njohje kolektive të shtetit të Kosovës”, thuhet tutje aty.

“Për më tepër mundësimi i daljes në detin Adriatik, duke i vënë infrastrukturën shtetërore të Kosovës në dispozicion të Serbisë dhe kushtëzimi i turpshëm i çështjes së personave të zhdukur e bëjnë këtë marrëveshje të dëmshme për Kosovën dhe interesat e saj si dhe në kundërshtim me Kushtetutën”, theksohet në reagim.

Sipas tyre edhe në kuadër të dialogut në Bruksel hapja e temës së Asociacionit është goditje për rendin kushtetues në Kosovë.

“Gjithashtu vazhdimi i dialogut sot në Bruksel me hapjen e temave të reja, siç është asociacioni i komunave me shumicë serbe, janë goditje të shumanshme që po i bëhen rendit kushtetues dhe sovranitetit shtetëror sa në njërin takim, sa në tjetrin, gjithnjë sipas kërkesave të Serbisë”, thuhet në reagimin e LVV-së.

Të premten Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve ekonomike.

Kujtojmë se Kryeministri Hoti të shtunën kishte bërë të ditur do t’i informojë deputetët e Kuvendit të Kosovës të cilëve edhe do të ua dorëzojë zyrtarisht marrëveshjen  e nënshkruar në ShbA.

Çfarë përmban marrëveshja e nënshkruar në Uashington?