Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Arbërie Nagavdi dhe Edison Jakurti Foto: KALLXO.com

Vetëvendosje kërkon hulumtimin e raportit financiar të qeverisë

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Arbërie Nagavci gjatë një konference për media u bëri thirrje gazetarëve dhe organizatave hulumtuese që të analizojnë dhe hulumtojnë raportin financiarë të qeverisë për vitin 2018-të.

Ajo tha se shpenzimet e panevojshme po e dobësojnë vendin sepse paraja publike është duke u keqmenaxhuar nga koalicioni qeverisës PAN.

Deputetja Arbërie Nagavci tha se raporti financiar i qeverisë për vitin 2018-të, është dëshmi e rritjes së keqpërdorimeve.

Ajo tha se pretendimet e qeverisë po kundërshtohen nga ky raport sepse ka ulje të numrit të bizneseve që mund të rrisin numrin e vendeve të punës në vend.

“Asnjë biznes i madh i ri nuk u regjistrua në vitin që e lamë pas. Për veturat zyrtare janë shpenzuar mbi 1 milion euro ndërsa për fusha sportive janë ndarë vetëm 300 mijë euro, ndërsa për pajisje muzikore janë ndarë zero euro. Furnizimi me ushqim dhe pije shënon 12 milionë euro, ndërsa për akomodim jashtë vendit 4 milionë euro, 7 milionë euro vetëm për udhëtime zyrtare. Përkundër se janë bërë të gjitha këto shpenzime për politikën e jashtme ato tregojnë që ka qenë një dështim i vërtetë”, deklaroi Nagavci.

Shpenzimi prej rreth 800 mijë eurove për shënimin e pavarësisë, sipas kësaj deputete ishin të panevojshme sepse ‘nuk kemi shumë për të festuar’.

“Në Ministrinë e Arsimit 207 persona janë angazhuar me kontratë për shërbime të veçanta dhe në Ministrinë e Infrastrukturës 135 persona. Secili nga PANqeveria mendon që mund ta përdorë paranë publike për qëllime partiake. U bëj thirrje gazetarëve dhe organizatave hulumtuese që të hulumtojnë këtë raport dhe të shohin se si është harxhuar paraja publike”, theksoi ajo.

Sa i përket mungesave të deputetëve në Kuvend, deputetja Nagavci tha se situata e krijuar po tregon që është koha për zgjedhje.

Ajo tha se nuk është duke u punuar në interes të qytetarëve dhe se qeveria e ka çorganizuar Kuvendin.

“Tanimë kryesia lë një hapësirë që të ketë stërngarkesë të seancave. Në seancën e fundit ishin 51 pika të rendit të ditës dhe kur u diskutua Ligji i Punës ishin rreth 20 deputetë. Kjo po bëhet për të fshehur mungesën e numrave dhe kjo tregon që duhet pasur zgjedhje të reja”, shtoi ajo.

Ndërsa, Edison Jakurti nga Komiteti për politika dhe financa tha se raporti financiar për vitin 2018-të është dëshmi se si qeveria aktuale është duke e keqmenaxhuar paranë publike.

Ai tha se ka vite që ministrat e financave po mburren me rritjen ekonomike, por sipas tij, ekonomia është shpërndarje, rishpërndarje, krim e shkëmbim.

“Ekziston një dallim i madh në mes të rritjes ekonomike dhe zhvillimit ekonomik. Rritja ekonomike mund të jetë e nevojshme për zhvillim por asnjëherë e mjaftueshme. Në Kosovë jo vetëm që është ngadalësuar rritja e vendeve të punës por edhe është krijuar ulja e këtyre vendeve. Çmim i bukës dhe drithërave është rritur për 10 përqind. Këto janë produkte e shërbime bazë e nuk janë luks”, tha ai.

Tutje Jakurti tha se kemi rritje të papunësisë dhe rritje të çmimeve.

“Norma e papunësisë dhe deficitit tregtar e inflacioni tregojnë se ne jemi në kohë krize. Mbi 12 mijë euro janë përdorur për udhëtime jashtë vendit. Gjatë vitit të kaluar rreth 3 milion e gjysmë janë paguar për dreka e udhëtime zyrtare”, shtoi ai.